Presidenti i Republikës, Bajram Begaj zhvilloi takime me biznesmenë të Bashkisë së Shijakut, që operojnë si investime të huaja dhe shqiptare.
Presidenti theksoi rëndësinë e shtimit të investimeve serioze të huaja si edhe të sipërmarrjeve të ndershme vendase të cilat shërbejnë për zhvillimin e objektivave të qëndrueshëm dhe modele për një të ardhme më të mirë.
Ai vizitoi fillimisht kompani të cilat janë hapur pas viteve ’90 si sipërmarrje familjare të vogla dhe sot janë forcuar duke hyrë në tregjet ndërkombëtare.
E tillë është dhe një kompani me qendër në Maminas, firmë e 6 vëllezërve Osmani të cilët e ndërmorrën këtë nismë në vitin 1992 përmes një lokali e tani kanë ngritur biznes të qëndrueshëm në fushën e gastronomisë, kulinarisë dhe turizmit.
Presidenti Begaj e vlerësoi këtë sipërmarrje frymëzuese dukë u shprehur se “Ky është një shembull se vetëm me punë të ndershme mund të bësh vepra të mira”.
Kreu i shtetit zhvilloi gjatë kësaj vizite takime edhe me disa sipërmarrës të tjerë shqiptarë dhe të huaj.