Kreu i Shtetit u drejtoi një ftesë komunitetit arbëresh, atij shqiptar dhe të rinjve tanë që studojnë në Universittin e Bolonjës, një nga më të vjetrit në Evropë, që të krijojnë sa më shumë rrjete bashkëpunimi që forcojnë identitetin, rrisin integrimin në Itali dhe i japin komunitetit atje një rol edhe më të madh në jetën ekonomike, kulturore dhe politike.

“Shqipëria ka nevojë për të gjithë shqiptarët, kudo ku ndodhen”, – theksoi Begaj, duke u zotuar: “Si President i Shqipërisë, dua t’ju siguroj se do të mbështes çdo nismë që forcon lidhjet midis arbëreshëve, shqiptarëve dhe Italisë, që ruan dhe promovon vlerat demokratike, identitetin tonë, dhe që kontribuon për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë dhe një të ardhme bashkëpunimi të shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Italisë”.

Ndërsa vlerësoi kontributin e arbëreshëve në ruajtjen e rrënjëve, duke i cilësuar ata si kujdestarët e pjesës së vyer të identitetit shqiptar, Presidenti i Republikës u ndal edhe te shqiptarët e rinj të emigruar pas viteve ’90, të cilët i quajti shembull të shkëlqyer integrimi.  “Janë rrugë të ngjashme, rrugë suksesi të siguruara me punë, përkushtim dhe respekt për ligjet dhe kulturën italiane”, – u shpreh Presidenti Begaj.