Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ndodhet në Shkodër ku po zhvillon një vizitë pune. Kreu i shtetit është takuar me kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia si dhe kryetaren e Këshillit Bashkiak, Brisela Kadija.

“Takim shumë i mirë me Kryetarin e Bashkisë së Shkodrës z. Bardh Spahia si dhe kryetaren e Këshillit Bashkiak, znj. Brisela Kadija. Vlerësoj bashkëpunimin politik në nivel lokal, një mesazh i shkëlqyer i bashkimit të forcave për të mirën e komunitetit dhe zhvillimin e qytetit”, u shpreh Begaj në rrjetet sociale.

Bgaj pritet që të takohet edhe me Prefekten e Qarkut të Shkodrës, Majlinda Angoni. Presidenti Begaj do të vlerësojë me Dekoratën “Nderi i Kombit” Gjimnazin “28 Nëntori”, Shkodër, me rastin e 100-vjetorit të krijimit të tij.

Në qytetin e Shkodrës, Kreu i Shtetit do të zhvillojë takime me përfaqësuesit e komuniteteve fetare, si në Myftininë e Shkodrës dhe në Kishën e Madhe, si dhe do të vizitojë Kishën Ortodokse.

Në përfundim të vizitës së tij, Presidenti Begaj do të vizitojë Muzeun Fotografik “Marubi”. Presidenti i Republikës do të shoqërohet nga Zonja e Parë, Armanda Begaj gjatë kësaj vizite në qytetin e Shkodrës.