Presidenti Bajram Behaj do të takohet me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg gjatë vizitës zyrtare që do të zhvillojë në datë 7 Mars.

Në axhendën e publikuar nga presidenca, thuhet se Begaj pritet të diskutojë me Stoltenberg në lidhje me zhvillimet strategjike dhe të sigurisë në krahun lindor të NATO-s dhe Ballkanin Perëndimor.

Pjesë e diskutimeve do të jetë edhe vijimi i mbështetjes për Ukrainën; angazhimi dhe kontributi i Shqipërisë në NATO, si edhe pritshmëritë për Samitin e ardhshëm të NATO-s, që do të mbahet në Vilnius, Lituani, në korrik të këtij viti.

Begaj do të shoqërohet nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjeneral Brigade Arben Kingji dhe anëtarë të kabinetit të tij.

Kjo është vizita e parë zyrtare në NATO e Begajt në cilësinë e Presidentit të Republikës.

Në përfundim të takimit, në orën 13:00, Begaj dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.