Kur ka mbetur më pak se një muaj nga Kampionati Europian “Gjermani 2024”, emisioni “Opinion” në Tv Klan që drejtohet nga Blendi Fevziu, i ka kushtuar një hapsirë të veçantë Federatës Shqiptare të Futbollit e në veçanti Presidentit Armand Duka. Emisioni i titulluar “Armand Duka, Shqipëria në Europian!” prek një sërë temash, ku Blendi Fevziu i shoqëruar nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, njihet nga afër me investimin madhor të FSHF-së, kompleksi modern sportiv që ofron të gjitha kushtet për ekipet Kombëtare dhe jo vetëm. Gjithashtu gjatë intervistës Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka folur për disa tema të ndryshme, vështirësitë e të kaluarës në krye të FSHF-së dhe transformimin që ka pësuar institucioni i futbollit në vend.

“Zyrat janë inauguruar në vitin 2022, por ne kemi filluar punë gjatë pandemisë Covid-19, megjithatë inagurimin e kemi bërë gjatë vitit 2022. Zyra e FSHF-së dikur ka qenë në stadiumin e vjetër “Qemal Stafa”, një zyrë nën 100 metra katror, sot kemi një godinë me katër kate dhe magazinën me katin nëntokë dhe të gjitha facilitetet që i duhen. Federata ka një lloj kompleksiteti, duket sikur është thjesht një lojë, por është menaxhim futbolli. Ka të gjitha departamentet. Nëse nuk ke kushtet e stërvitjes, nuk ke administrim, organizim dhe çdo gjë të mirë, pastaj është e vështirë të arrish rezultat. I gjithë kompleksi është pronë e FSHF-së. Është investuar dhe zhvilluar nga FSHF, ka kompleksin e zyrave, fushën me bar artificial dhe dy fusha të tjera me bar natyral. Këtu stërviten të gjithë ekipet Kombëtare të moshave dhe ekipi i parë. Kombëtarja A stërvitet vetëm në fushat e tjera me bar natyral. Gjithë stërvitjet bëhen këtu, fushat kanë edhe dy tribunat të cilat kanë një kapacitet prej 500 vendesh.

Këtu bëhen stërvitjet e ekipeve Kombëtare dhe organizohen edhe shumë turne moshash ndërkombëtar, vetëm vitin e kaluar kemi organizuar rreth 11 turne. Ne kemi edhe ekipin Kombëtar të veteranëve, kemi ekipet Kombëtare të djemve që luajnë në kompeticionet ndërkombëtare, U-15, U-17, U-19, U-21 dhe ekipin A. Të njëjtën gjë edhe te vajzat, por nuk kemi vetëm ekip Kombëtar U-21, pasi nuk ka aktivitet. Të gjitha ekipet Kombëtare luajnë futboll në kompeticionet ndërkombëtare, në kualifikueset për Europianin dhe Botërorin. Kampionati Europian i grupmoshës U-17 në vitin 2025 do të organizohet në Shqipëri. Ekip organizator kualifikohet direkt dhe ne do të marrim pjesë në finale. Janë dy mini-stadiume që plotësojnë çdo kriter për të organizuar qoftë edhe një ndeshje ndërkombëtare.

Ekipi Kombëtar do të fillojë grumbullimin në “Shtëpinë e Futbollit” nga 22 maj deri më datë 31 maj, pastaj do të udhëtojë drejt Austrisë ku do të qëndrojë për rreth një javë. Do të zhvillojmë edhe dy ndeshje miqësore atje, me datë 3 qershor ndaj Lihtenshtejnit dhe me datë 7 qershor kundër Azerbajxhanit. Ekipi do të stërvitet në një kompleks sportiv shumë të mirë, aty afër kemi qenë edhe në vitin 2016 para Europianit. Dy ndeshjet miqësore do të zhvillohen në Hungari por që është shumë afër me hotelin ku ne jemi, në një stadium që quhet Haladás Sportkomplexum”, me rreth 8 mijë vende, i ri dhe shumë i mirë. Stërvitjet e ekipit Kombëtar në përgjithësi zhvillohen me dyer të mbyllura, në përgjithësi 15 minutat e para janë të hapur për mediat. Ka raste kur bëhen stërvitje të hapura dhe në këtë rast bëhet njoftim dhe mund të vijnë spektatorët dhe media. Në Kaiserau është qendra sportive që do të akomodohet ekipi Kombëtar në Europian.

Buxheti i FSHF-së varet nga rezultatet sepse nëse shkon në Europian ke të ardhura më shumë. Me gjithë të ardhurat e Europianit, sepse vetëm të ardhurat nga Europiani arkëtohen 9 milion e 250 mijë euro, kështu që buxheti shkon rreth 25 milion euro. Kur e mora Federatën buxheti ishte afërsisht 200 mijë euro. Kur kam filluar unë President, kontrollin e Federatës e kishte shteti, paguante një listë pagash me 12-të persona, ku paga më e lartë ishte e Sekretarit të Përgjithshëm me 200 mijë lek të vjetra. Një arbitër merrte 2 mijë lek të vjetra. Që nga ajo kohë kemi filluar menaxhimin vetëfinancues dhe nuk kemi asnjë gjë nga shteti”. Gjithashtu, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, foli edhe për stadiumin “Air Albania” që menaxhohet nga FSHF.

“Stadiumi administrohet nga ne, pjesa sportive. Menaxhimi i stadiumit kushton dhe gjëja që kushton më shumë është energjia elektrike në stadium. Panelet diellore do i vendosim tani. Nuk ka qenë e lehtë për arsye të legjislacionit shqiptar, tani është koha e përshtatshme që duhet t’i vendosim dhe këtë vit besoj se do t’i vëmë. Makina që është me ndriçues për rritjen e barit edhe me ventilator për ta ajrosur, bari ka kushtuar vërtetë shumë, por kosto më e madhe është shpenzimi i energjisë elektrike për të, sepse duke qenë stadium i mbyllur, sidomos kjo pjesa jugore nuk merr dritë dhe do ta mbash barin me dritë artificiale dhe ajo na kushton. Ka muaj që shpenzojmë dhe 40 mijë euro energji elektrike”. E ardhmja e trajnerit Silvinjo? Presidenti Duka, tha se teknikut brazilian i është ofruar rinovimin i kontratës edhe për dy vite të tjera. “Ne jemi të kënaqur me atë çfarë ka bërë trajneri Silvinjo dhe i kemi ofruar rinovimin e kontratës për dy vite të tjera, synimi kryesor është kualifikimi në Botëror”.