Aston Villa po shfaq përsëri interes për mesfushorin sulmues të Besiktas, Ernest Muçi.

Media turke Fanatik, shkruan se klubi anglez po monitoron situatën përpara afatit kalimtar të verës.

Reprezentuesi shqiptar ka bërë përshtypje që kur iu bashkua klubit të Superligës turke gjatë merkatos së janarit, gjë që ka tërhequr vëmendjen e skuadrave të tjera, përfshirë Aston Villa.

Mësohet se Besiktas së fundmi ka marrë oferta për Muçin dhe këtë e ka konfirmuar edhe presidenti i tyre Hasam Arat.

Presidenti i Besiktas zbuloi se një ofertë prej 20 milionë eurosh ka ardhur për lojtarin, por kjo u refuzua dhe ai nuk e përmendi klubin e përfshirë.

“Një klub nga Evropa ka bërë një ofertë prej 20 milionë eurosh për Ernest Muçin. Megjithatë, unë e refuzova ofertën. Ne duam që ai të qëndrojë me ne sezonin e ardhshëm”, tha Arat.

Fanatik shton se Muçi po ndiqet nga shumë klube dhe raportojnë se Aston Villa është një nga të interesuarit.

Skuadra e Premier League do të kërkojë të forcohet në dritaren e verës për pjesëmarrjen në Champions League sezonin e ardhshëm.

23-vjeçari ishte pjesë e skuadrës së Legias së Varshavës që u takua me Villa në Conference League në fillim të sezonit dhe duket se ka lënë përshtypje gjatë atij takimi.

Muçi ka bërë 11 paraqitje dhe ka shënuar 3 gola që kur u bashkua me Besiktas në janar. Ai ka kontratë me klubin e Stambollit deri në qershor 2027.