Presidenti i skuadrës së Dallas Mavericks, Mark Cuban, ka deklaruar sot se po mendon të kandidojë për postin e presidentit të Amerikës në zgjedhjet që do të kryhen në vitin 2020.

“Për momentin është një ide që më vjen shpesh në mendje, por ende nuk kam marrë një vendim përfundimtar. Nuk e di nëse jam ende gati për të hedhur kandidaturën”, është shprehur sot gjatë një interviste televizive Mark Cuban, i cili në zgjedhjet e fundit presidenciale ka qenë në krah të kandidatës demokrate Hillary Clinton.

Më tej ai shtoi: “Nëse do të isha në gjendje të gjeja rrugëdalje për të zgjidhur problemet, do të kishte sens ky kandidim për postin e presidentit. Objektivi im është gjithnjë që të gjej një zgjidhje për problemet e ndryshme që na shqetësojnë. Nuk më pëlqen që të kandidoj për Shtëpinë e Bardhë vetëm se ka disa njerëz që mund të votojnë për mua”, u shpreh miliarderi Mark Cuban, president i skuadrës teksane të Dallas Mavereicks, që luan në NBA.