Presidenti i Erzenit, Julian Balla, në daljen e tij të parë publike në media foli në emisionin “Ora Sport”, në Ora Neës, ku zbuloi projektin e tij ambicioz.

Julian Balla, u shpreh se do të ndërtoj një stadium të ri me kapacitet 4 mijë vende, akademi, hotel për klubin dhe dy fusha për stërvitje. Gjithashtu ai tha se trajneri Alfred Deliallisi do të vazhdoj të drejtoj ekipin.

“Ne jemi një ekip që nuk kemi strukturën, jemi në kontakte në Bashkinë e Shijakut dhe FSHF-në, besoj që këtë javë zgjidhet problemi i dokumentacionit me hartën. Do të ndërtoj një stadium modern me kapacitet 4000 veta dhe dy fusha stërvitore afër. Gjithashtu do të ndërtohet dhe një akademi dhe hotel për klubin, ku do të qëndrojnë lojtarët. Gjithçka do kohën e vetë, por ne jemi të impenjuar për ta bërë sa më parë”.

Arbitrimi – “Nuk jam i kënaqur me renditjen sepse mundimi e puna, e investimi ka qenë për të arritur diçka më shumë se ku jemi, apo më shumë se në fazën e parë. Me atë ekip që ishim meritonim ato pikë, ndoshta mund të na jetë hequr diçka që na takonte. Kemi një episod kur na është hequr me dashje. Ndërsa te pjesa e fazës që ka filluar jemi të prekur si ekip, të gjithë. Kemi bërë një investim dhe filluam një investim nga e para. Kemi bërë një dopio skuadër. Investimi më i gabuar ishte që hoqëm portierin”.

Alfred Deliallisi – “Me trajnerin jam i kënaqur sepse ua ka dhënë mundësinë të gjithëve, ata që e kanë merituar kanë luajtur. Ne si drejtues nuk kemi patur kurrë preferenca personale ose të ndikuara. Edhe të gjithë lojtarët që larguam e bëm për të mirë e Erzenit. Për Deliallisin kam shumë respekt, pavarësisht si shkuan situata në këto dy ndeshjet e fundit. Pasojat i du unë dhe ai. Delillasi ka marrë 21 pikë në fazën e parë me 11 lojtarë. Nuk besoj se një trajner tjetër do ti dedikohej Erzenit me aq mund, sakrificë, dashuri dhe përkushtim. Deliallisi është nga ata trajner që zgjohet me Erzenin dhe fle me Erzenin. Ai është një trajner i ri dhe unë president i ri. Mundohemi të plotësojmë njëri-tjetrin dhe shpresoj të ecim përpara”.