2 dhjetor 2015 – Fitorja e Shqipërisë në ndeshjen e fundit në grup ndaj Armenisë 3-0 krijoi polemika të mëdha në kampin armen. Presidenti i Federatës Armene të Futbollit akuzoi lojtarët për tradhti kombëtare rreth një javë më parë duke aluduar se ndeshja ishte e shitur. Por sot mediet armene raportojnë për një përgënjeshtrim të kësaj deklarate nga Ruben Hayrapetyan. Ky i fundit ka mohuar se me deklaratën e tij të para një jave, linte të kuptohej se ndeshja ishte e shitur. Presidenti i Federatës Armene ka deklaruar: “Unë nuk thashë se ndeshja ishte e shitur, por unë thashë se një tradhti ndodhi. Në qoftë se lojtarët para një ndeshje miqësore kundër Francës thonë se, nuk dëshirojnë të luajnë, atëherë a është kjo tradhti. Çfarë do të thotë të refuzosh të luash tre orë para ndeshjes?”, është shprehur Hayrapetyan.

Në lidhje me letrën publike të lojtarëve armenë ku hidhnin poshtë pretendimet për shitje të ndeshjes presidenti sqaron se, e ka marrë në konsideratë atë letër dhe qëndrim të lojtarëve. Faqja zyrtare e Federatës armene bën me dije se Presidenti ka planifikuar një takim me lojtarët në muajin janar për të folur për të gjitha çështjet dhe të marrë përgjigje përfundimtare.

/portali DurresLajm/