4 mars 2015 –  Bernard Shaland nuk do të jetë trajner i Armenisë më 1 prill të këtij viti, në rast se më 29 mars do të humbasë ndeshjen ndaj Shqipërisë. Lajmi është bërë i ditur nga presidenti i Federatës Armene të Futbollit, Ruben Hajrapetjan. “Jemi takuar me Shaland dhe kemi diskutuar të gjitha çështjet. Ai më ka siguruar se do të fitojë kundër shqiptarëve dhe kjo është detyra që unë i kam caktuar, në të kundërt duhet të largohet”, ka deklaruar kreu i federatës në një intervistë dhënë televizionit publik armen.  

Bernard Shaland e mori drejtimin e Armenisë më 28 shkurt të 2014-ës, duke debutuar pesë ditë më vonë në miqësoren ndaj Rusisë të humbur 2-0. Më pas, skuadra e tij fitoi miqësoren ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe 4-3 në 27 maj dhe humbi 3-1 ndaj Algjerisë katër ditë më vonë. Më 6 qershor, Shaland “mati forcat” me Gjermaninë, ndaj së cilës humbi 6-1 për të ardhur te miqësorja me Letoninë në gusht, të humbur 2-0. Edicioni aktual i kualifikimit nisi me një humbje rekamboleske 2-1 në transfertë ndaj Danimarkës (Armenia shënoi e para), ndërsa barazoi 1-1 me Serbinë. Humbi 3-0 ndaj Francës, ashtu sikundër edhe me Portugalinë 1-0 në ndeshjen e fundit të 14 nëntorit 2014. Kësisoj, nën drejtimin e Shaland, Armenia njeh një fitore, 1 barazim dhe 7 humbje.

Duket se Shqipëria e këtij edicioni do të shquhet jo vetëm për lojëra të mira, në të gjitha ndeshjet kualifikuese, por edhe si një “ngrënëse kokash” trajnerësh. Pas fitores historike 0-1 të Shqipërisë në Portugali, ishte trajneri i luzitanëve, Paulo Bento, ai që u detyrua të jepte dorëheqjen dhe në vend të tij erdhi Fernando Santo. Ndërsa një muaj më pas do ishte radha e holandezit, Dik Advokat. Barazimi në Beograd me Serbinë, por më së shumti dhuna e jashtëzakonshme e vendësve ndaj kuqezinjve, ndikoi ndjeshëm në ecurinë e serbëve. Kësisoj, i ndodhur në një situatë aspak komode, holandezi dha dorëheqjen, çuditërisht duke fajësuar jo serbët, por Shqipërinë për largimin e tij nga posti i trajnerit. Tashmë duhet të pritet ndeshja e 29 marsit në “Elbasan Arena” për të verifikuar nëse Shaland do të jetë trajneri i radhës, ai i cili do ta kujtojë gjatë, emrin e Shqipërisë.