6 dhjetor 2014 – Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, ka konfirmuar prezencën e një niveli të ulët në formë gjurme në organizimin e peshëngritëses Romela Begaj. Gjoza shtoi se në rast të një rezultati të ngjashëm në testin B si i pari, atëherë federata do të ndërmarrë masa drastike ndaj saj dhe trajnerit: “Në kontrollin e nënshtruar në Botërorin e Kazakistanit, në trupin e saj janë konstatuar gjurma në shkallën 1.1. Me t’u vënë në dijeni të analizës, sportistja ka kërkuar bërjen edhe të testit B. Ju konfirmoj se gjatë qëndrimit në Greqi në fazën përgatitore, Romela Begaj dhe gjithë sportistët e tjerë u janë nënshtruar tre kontrolleve antidoping në harkun 6-mujor. Dhe të gjitha rezultatet kanë dalë negative. Gjatë gjithë kësaj kohe, ajo është stërvitur nga trajneri Luan Shabani. Madje për të qenë më e fokusuar dhe në formën më të mirë zgjodhëm të mos merrte pjesë në kampionatin kombëtar që u zhvillua në Tiranë.
Tashmë na duhet të presim edhe kontrollin e dytë, pasi është B-ja që vërteton pozitivitetin apo jo. Ligjërisht na duhet të presim edhe provën B, pastaj të dalim në një qëndrim. Romela më shprehu bindjen se është e pastër dhe se nuk ka përdorur asnjë substancë të ndaluar. Ndaj dhe kërkoi bërjen e analizës B. Ajo është sportiste profesioniste dhe është e vetëdijshme për çdo gjë. Opsioni i vetëm është se mund të ketë përdorur diçka përgjatë kampionatit botëror në Kazakistan. Shpreh keqardhjen pasi ajo është një profesioniste me 10-15 vite karrierë. Realisht është e pafalshme. Më duhet të theksoj se sikurse i shpreh konsideratat trajnerit të saj Luan Shabani për kontributin e dhënë, nuk mund të fsheh edhe kritikat.” Gjoza shprehet se në këtë rast përgjegjësia është personale e peshëngritëses:
“Së pari, përgjegjësia është personale e peshëngritëses dhe, së dyti, e trajnerit të saj Luan Shabani. Sinqerisht jam i shokuar me atë që ka ndodhur dhe nuk arrij ta besoj ende. Vetëm kësaj sportisteje nuk do t’ia kisha falur nëse do të kishte marrë substanca të ndaluara. Ndoshta ndonjë sportisti tjetër po. Më vjen shumë keq edhe për deklaratat e saj të fundit. Ta dinë të gjithë se Romela Begaj është trajtuar rregullisht për 6 muaj me fondet e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Në rast të një përgjigjeje nga testi B si ai i pari, çfarë masash do të marrë federata? Ekstreme. Nëse del pozitivisht edhe pas analizës së dytë, ajo dhe trajneri i saj përjashtohen përjetësisht nga ky sport".





