13 prill 2014 – Një lajm i veçantë i publikuar në të përditshmen braziliane “O Globo” po bën xhiron e botës. Sipas të përditshmes, presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter është vënë në kërkim të një shtëpie në Brazil ku do të kalojë ditët gjatë Kupës së Botës, por ende asnjë ofertë nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë e tij. Paratë nuk janë problem dhe për ta ndihmuar ta heqë edhe këtë telash nga lista e gjatë mendon ish fenomeni Ronaldo. Golashënuesi më i mirë i botërorëve, i ofroi kreut të FIFA-s shtëpinë e tij në rrugën e plazhit në Rio de Janeiro. Blatter nuk është menduar dy herë për të pranuar propozimin e Ronaldos që gjithsesi e bën këtë sakrificë për një kauzë të drejtë financiare. 78-vjeçari do të qëndrojë rreth 6 javë në apartamentin e huazuar dhe sipas gazetës “O Globo” ai do të paguajë plot 10 mijë euro në ditë, pra në total plot 500 mijë Euro. Hyrja ndodhet në zonën e quajtur Leblon dhe brenda saj nuk mungon pothuajse asgjë, pikërisht ajo çfarë kërkonte Blatter. Lajmi nuk është konfirmuar ende nga stafi i shefit të FIFA-s, por në të tilla raste heshtja është ajo që flet vetë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





