Mikheil Kavelashvili, një kritik i ashpër i Perëndimit, u betua si president i Gjeorgjisë të dielën në mes të një krize politike, pasi qeveria ngriu bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke nxitur protesta të mëdha.
Presidentja pro evropiane në largim Salome Zourabichvili, një kundërshtare e partisë në pushtet, tha në një fjalim sfidues para mbështetësve jashtë pallatit presidencial se ajo po largohej nga rezidenca, por se Kavelashvili nuk ka legjitimitet si president, një post kryesisht ceremonial.
“Unë do të dal nga këtu dhe do të jem me ju… Po marr legjitimitetin me vete, po marr flamurin me vete, po marr besimin tuaj me vete”, tha ajo, para se të dilte nga pallati për t’u bashkuar me mbështetësit e saj.
Zonja Zourabichvili thotë se Mikheil Kavelashvili nuk u zgjodh siç duhet, pasi ligjvënësit që e zgjodhën atë dolën nga zgjedhjet parlamentare të tetorit që ajo thotë se u karakterizuan nga mashtrimet. Partitë opozitare të Gjeorgjisë e mbështesin zonjën Zourabichvili.
Partia në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane” dhe Komisioni i Zgjedhjeve thonë se votimet e tetorit ishin të lira dhe të ndershme. Partia në pushtet thotë se Kavelashvili është presidenti i zgjedhur në mënyrën e duhur.
Përplasja presidenciale shihet si një moment vendimtar në Gjeorgji, një vend malor prej 3.7 milionë banorësh, që deri vonë konsiderohej si një nga shtetet më demokratike dhe properëndimore të ish-Bashkimit Sovjektik.
Kavelashvili është një besnik i Bidzina Ivanishvilit, ish kryeministrit miliarder, i cili shihet gjerësisht si udhëheqësi de fakto i Gjeorgjisë. Të premten, Shtetet e Bashkuara sanksionuan Ivanishvilint duke thënë se ai po drejtonte kthesën aktuale anti perëndimore dhe pro-ruse të Gjeorgjisë.
Kavelashvili, një ish-futbollist profesionist i cili ka luajtur për një kohë të shkurtër si sulmues për Manchester Cityn, ka akuzuar vazhdimisht agjencitë perëndimore të zbulimit për komplot për ta përfshirë Gjeorgjinë në luftë me Rusinë fqinje.
“Populli gjeorgjian e ka kuptuar gjithmonë se paqja është parakushti kryesor për mbijetesë dhe zhvillim”, tha ai, pasi u betua të dielën. Protestuesit jashtë parlamentit mbajtën në duar kartonët e kuq në një referencë tallëse për karrierën sportive të Kavelashvilit.
Partia Ëndrra Gjeorgjiane mori pothuajse 54 për qind të votave në zgjedhjet e tetorit. Vëzhguesit lokalë dhe ndërkombëtarë të zgjedhjeve kanë thënë se votimi u përshkua nga shkelje që mund të kenë ndikuar mbi rezultatet. Vendet perëndimore kanë kërkuar një hetim.
Zonja Zourabichvili mbështetet nga katër partitë kryesore opozitare pro evropiane të vendit, të cilat kanë bojkotuar parlamentin që nga zgjedhjet. Ato thonë se ajo do të mbetet legjitime deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Vendi është përfshirë nga protestat të nxitura nga vendimi i partisë Ëndrra Gjeorgjiane për të pezulluar bisedimet për anëtarësim në BE deri në vitin 2028.
Ky veprim shkaktoi zemërim të gjerë në mesin e gjeorgjianëve, të cilët sipas anketave janë pro-BE dhe coi në një shtypje të policisë, me mbi 400 njerëz, përfshirë udhëheqës të lartë të opozitës, të arrestuar.
Zonja Zourabichvili ka akuzuar Ëndrrën Gjeorgjiane për fundosjen e qëllimshme të shpresave të Gjeorgjisë për anëtarësim në BE dhe në vend të kësaj po shkon drejt Rusisë, nga e cila Gjeorgjia fitoi pavarësinë në vitin 1991.
Mbështetësit e opozitës thonë se nën zonjën Zourabichvili, që u zgjodh me mbështetjen e Ëndrrës Gjeorgjiane në vitin 2018 përpara se të shkëputej nga partia në vitet e fundit, presidenca ishte i vetmi institucion në vend që nuk ishte përfundimisht nën kontrollin e themeluesit të partisë në pushtet, Ivanishvili.
Ata thonë se me vendosjen e Kavelashvilit në postin e presidentit, Ivanishvili do të ketë kontrollin e plotë mbi Gjeorgjinë. /VOA