Nga Selaniku, Presidenti i Greqisë Prokopis Pavlopoulos ka dërguar një tjetër mesazh ndaj Shqipërisë për marrëdhëniet dy palëshe.

Kreu i shtetit grek përsëriti qëndrimin se me Shqipërinë, Greqia dëshiron që të ketë marrëdhënie të mira, por kjo nuk mund të bëhet vetëm në mënyrë të njëanshme.

“Ne kemi thënë se duam për të ardhmen tonë një perspektivë të mirë dhe e dimë gjithashtu që në kohë të vështira Greqia qëndron pranë. Por kjo miqësi nuk mund të jetë një miqësi në mënyrë të njëanshme. Shqipëria duhet të kuptojë, veçanërisht lidershipi aktual, se shembujt e përditshëm që jep dhe këto nuk prekin vetëm Greqinë, nuk përshtaten me një numër të madh shtetesh të komunitetit ndërkombëtar dhe vendeve kandidate për në BE.

Nga sjelljet që shkelin rëndë të drejtat themelore të njeriut, sikurse janë sjelljet që vazhdojnë me minoritetet dhe me minoritetin tonë. Ashtu siç janë sjelljet që shkelin një të drejtë të shenjtë dhe të rëndësishe, si e drejta për pronën. Megjithatë, Shqipëria vet minon perspektivën e saj europiane dhe nuk mund të jemi indiferentë ndaj sjelljeve të tilla. Ne ja kemi borxh vendit tonë dhe Bashkimit Europian. Prandaj në Ballkan është rritur përgjegjësia jonë se cilat vendeve duhet t’i bashkohen BE-së”, deklaroi Pavlopoulos.

Këto deklarata Presidenti i Greqisë i bëri gjatë një takimi të organizuar në Selanik nga Komandanti i Trupave të Ushtrisë greke.

Presidenti Pavlopoulos edhe disa ditë më parë dërgoi mesazhe ndaj Shqipërisë lidhur me hapjen e negociatave, duke ju referuar minoritetit grek në Himarë.