Presidenti iranian Ebrahim Raisi tha se çdo “agresion i ri kundër interesave të kombit iranian do të përballet me një përgjigje më të ashpër”, raporton kanali shtetëror i lajmeve të Iranit.
Ndërkohë edhe Ministri i Jashtëm i Iranit bëri komente të ngjashme, duke thënë se Irani nuk ka ndërmend të “vazhdojë operacionet mbrojtëse, por nëse është e nevojshme, ai nuk do të hezitojë të mbrojë interesat e tij legjitime kundër çdo agresioni të ri”.
“Ushtrimi i të drejtës së mbrojtjes legjitime tregon qasjen e përgjegjshme të Iranit ndaj paqes dhe sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare,” shtoi ai.
Irani ka vazhduar kërcënimet e tij pasi nisi një sulm të paprecedentë gjatë natës ndaj Izraelit të shtunën.
Udhëheqësi i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit u shpreh se tani do të përgjigjen drejtpërdrejt sa herë që Izraeli sulmon interesat, pasuritë ose njerëzit.
Shefi i shtabit të Iranit ka kërcënuar gjithashtu SHBA-në dhe Izraelin kundër çdo sulmi të ardhshëm.
Mohammad Bagheri, shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit, tha se Irani i dërgoi një mesazh SHBA-së përmes ambasadës zvicerane duke paralajmëruar Uashingtonin nëse bashkëpunon me Izraelin në veprimet e tyre të ardhshme të mundshme, bazat amerikane “nuk do të kenë asnjë siguri”.