Presidenti i Iranit Ebrahim Raisi dënoi të martën një sulm ajror vdekjeprurës për të cilin fajësohet Izraeli kundër aneksit konsullor të vendit të tij në Damask, duke thënë se “krimi frikacak nuk do të mbetet pa përgjigje”.
“Pas humbjeve dhe dështimeve të përsëritura kundër besimit dhe vullnetit të luftëtarëve të Frontit të Rezistencës, regjimi sionist ka vënë në axhendën e tij vrasje të verbëra në luftën për të shpëtuar veten”, tha Raisi në faqen e internetit të zyrës së tij.
“Dita ditës, ne kemi parë forcimin e Frontit të Rezistencës dhe neverinë dhe urrejtjen e kombeve të lira ndaj natyrës së paligjshme të (Izraelit). Ky krim frikacak nuk do të mbetet pa përgjigje.”
Sulmi ajror në aneksin pesë-katësh të ambasadës iraniane vrau shtatë anëtarë të Korpusit të Gardës së Revolucionit Islamik, i cili drejton operacionet ushtarake të Iranit jashtë shtetit. Midis të vdekurve, ishin gjeneralët e brigadës Mohammad Reza Zahedi dhe Mohammad Hadi Haji Rahimi, të dy komandantë të lartë në Forcën Quds, krahu i operacioneve të jashtme të Gardës. Zahedi, 63 vjeç, kishte mbajtur një sërë komandash në forcë në një karrierë të Gardës që zgjati më shumë se katër dekada.
Izraeli nuk pranoi të komentojë mbi sulmin. Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të diskutonte sulmin vdekjeprurës më vonë të martën në një takim të kërkuar nga aleati sirian Rusia.
“Irani rezervon të drejtën e tij legjitime dhe të qenësishme sipas ligjit ndërkombëtar dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara për të marrë një përgjigje vendimtare ndaj akteve të tilla të dënueshme,” tha misioni i Iranit në organizmin botëror.
Ai paralajmëroi se sulmi mund të “ndizte potencialisht më shumë konflikte që përfshijnë kombe të tjera” dhe i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit “të dënojë këtë akt të pajustifikuar kriminal”.