Presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli dhe drejtues të tjerë të klubit bardhezi do të dalin së shpejti para Komisionit Parlamentar Antimafia në Romë, që prej kohësh ka nisur hetimet në lidhje me përhapjen e mafias në zonën e Piemonte-s. Vendimi është marrë pas audicionit që bëri dje para këtij komisioni prokutori i Federatës Italiane të Futbollit, Giuseppe Pecoraro. Ky i fundit konfirmoi se në të shkuarën ka patur “kontakte” mes presidentit të Juventusit dhe Rocco Dominello, ish-ultra dhe anëtar i një grupi mafioz kalabrez. Ndaj, për të sqaruar situatën e tij, Andrea Agnielli do të paraqitet para komisionit parlamentar antimafia.
Pavarësisht kësaj, Agnelli dhe të gjithë drejtuesit e tjerë të klubit bardhezi nuk janë të akuzuar për lidhje me mafian, ashtu sikurse edhe klubi juventin. Ka qenë vetë Agnielli dje ai që përmes “Twitter” ka deklaruar: “Në respekt të organeve hetimore, ju kujtoj se nuk kam takuar kurrë drejtues të mafias. Ajo që lexoj është e gjitha një falsitet”. Rreziku më i madh për Juventusin dhe drejtuesit e saj është që të “paralajmërohen”, në bazë të nenit 12, pika 1 dhe 2, që flet për marrëdhëniet mes drejtuesve dhe publikut në lidhje me shpërndarjen e biletave. Për momentin nuk ka asnjë të akuzuar direkt dhe hetimet po vazhdojnë.