Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi takoi sot Presidentin e Parlamentit Europian, David Sassoli, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Shqipëri. Në takim merrnin pjesë edhe Kryetari i Grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, Kryetarja e Grupit Demokrat, Rudina Hajdari dhe Kryetari i Grupit të Pavarur, Nimet Musai.

Kryetari Ruçi i shprehu Presidentit Sassoli mirënjohjen për vizionin dhe mbështetjen e fuqishme të integrimit europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor. “Në saj të këtij vizioni dhe të këtij qëndrimi, Parlamenti Europian nuk tërhiqet nga pozicioni i palëkundur për të filluar menjëherë, gjatë presidencës kroate, bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Shqipëria drejt destinacionit të saj europian ka vetëm një Plan A. Asnjë Plan B nuk ekziston, as i hapur dhe as i fshehtë, as sot dhe as në të ardhmen. Shqiptarët dhe të gjithë popujt e Ballkanit Perëndimor do tju jenë përjetësisht mirënjohës për vlerësimin që u bëni atyre si bashkëmbartës të vlerave europiane, qytetëruese e perëndimore”, nënvizoi Ruçi.

Ruçi e informoi Presidentin Sassoli edhe mbi tre objektivat kryesorë prioritarë të Kuvendit: zbatimin e Planit të Veprimit për integrimin europian, në reflektim të rekomandimeve të Komisionit Europian dhe Këshillit Europian, kurorëzimin me sukses të reformës në drejtësi si esdhe përfundimin e reformës zgjedhore.

“Në Shqipëri gjeta një vend të bashkuar rreth perspektivës europiane dhe këtë mesazh do ta përcjell në Bruksel. Jam shumë i kënaqur që politika, institucionet dhe shoqëria civile nuk janë dekurajuar, por rikonfirmuan vazhdimin e përpjekjeve për integrimin europian. Uniteti dhe kohezioni në përspektivën europiane është themelore për shpejtimin e hapave të integrimit. Vazhdoni dialogun dhe punoni për shpejtimin dhe thellimin e reformave afatgjata. Sinjalet për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë pozitive”, vuri në dukje Presidenti Sassoli.