Masimo Ferrero, presidenti i Sampdorias, nuk resht me batutat e tij dhe në një intervistë të dhënë për “Radio Radio”, u tall hapur me Milanin, të cilin skuadra e tij e mundi në fundjavë me rezultatin 2-0.

“Milani ka shpenzuar 200 milionë euro në merkato por kundër nesh nuk bëri asnjë gjuajtje në portë. Kurse ne ia bëmë dy gola. Unë kisha parashikuar një fitore 2-1, por ata nuk bënë asnjë gjuajtje në portë, përndryshe edhe mund ta kisha gjetur rezultatin e saktë.Milani është një skuadër e madhe, por zhvillon lojë individualiste. Sipas meje, titulli kampion në këtë sezon i shkon Napolit. Nëse nuk e fiton këtë vit, nuk do ta fitojë asnjëherë më”, tha Ferrero në intervistën e tij.