9 qershor 2015 – Një debat i ashpër, madje deri në ofendime ka ndodhur mes presidentëve të Serbisë e Kosovës.
Presidenti serb Tomislav Nikoliq i ka thënë homologes kosovare Atifete Jahjagës, që të mos kujtojë se po udhëheq ndonjë shtet, pasi Kosova nuk është dhe nuk do të jetë kurrë e tillë.
Këto debate, të zhvilluara gjatë samitit “Brdo-Brioni”, që u mbajt dje në Budvë të Malit të Zi, i ka publikuar Ivan Mrkiqin, këshilltari i Presidentit të Serbisë, për gazetën ‘Novosti’.
“Mos mendoni se po e udhëhiqni një shtet të vogël, pasi Kosova kurrë nuk do të jetë e tillë. Shqiptarët nuk po i përmbushin obligimet e marra nga marrëveshja e Brukselit dhe kjo praktikë duhet të ndërrohet, në mënyrë që të mund të arrihet një marrëveshje e vërtetë me serbët, në vend që të mendojnë se janë një shtet të cilin gjysma e njerëzimit nuk e njeh”, i ka thënë Nikoliç Jahjagës.
Më tepër se kaq, presidenti i Serbisë, gjithnjë sipas asaj që ka cituar këshilltari i tij, i është drejtuar homologes kosovare edhe përsa i përket zhvillimeve në Maqedoni, duke i bërë akuza të rënda gati deri në ofendime.
Nikoliç i ka thënë asaj se pret që të paktën të kërkojë falje për ato që kanë bërë bashkëkombasit e saj. "Terroristët shqiptarë, të cilët me egërsi po vrasin në Kumanovë forcat e rendit, e në Prishtinë u përgatitet varrim solemen, në fakt, me nderime shtetërore”, ka treguar Mrkiq.
Ky i fundit, ka thënë se pas këtyre fjalëve, Jahjaga ka heshtur dhe nuk ka folur më. Ndërkohë deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e presidentes, raportojnë mediat kosovare.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/