Presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov ka thyer shpresat e shqiptarëve, ndërsa deklaroi se nuk nënshkruan Ligjin e Gjuhës shqipe. Në një deklaratë për mediat ai tha se në Maqedoni që të bashkëjetojnë të gjithë, nuk duhet të miratohen ligje që shkojnë vetëm në favor të shqiptarëve.
Presidenti Gjorge Ivanov theksoi se ky ligj është në kundërshtim me kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. Sipas tij, ligji rrezikon karakterin unitar të shtetit, sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë.
“Më 11 janar të vitit 2018 Kuvendi i Maqedonisë e votoi ligjin për përdorim të gjuhëve pa debat publik, pa përfshirjen e ekspertëve akademik dhe pa opozitën. Në fjalimin e fundvitit theksova se ky ligj është sjell me flamuri evropian. Me miratimin e këtij ligji është keqpërdorur flamuri evropian i cili i ndryshon sistemet ligjore” – tha Ivanov.
MIRATIMI I GJUHES SHQIPE ME KUVEND
Kuvendi i Maqedonisë miratoi më 11 janar Projektligjin për përdorimin e gjuhëve që përcakton me ligj përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet zyrtare me 69 vota pro dhe asnjë kundër apo abstenim. Debati për ligjin e gjuhëve në Kuvend filloi më 5 shtator të vitit të kaluar në Komisionin kuvendor për Çështje Evropiane, ndërsa shumica parlamentare e aprovoi nevojën për miratimin e tij më 15-të nëntor të vitit të kaluar.
Ky ligj që lejon edhe gjuhën shqipe në shkolla, shkaktoi debat të gjerë në Maqedoni, ku nga forcat politike VMRO-DPMNE u propagandua si kundër Maqedonisë dhe se federalizon shtetin.
Pro ligjit votuan partitë politike shqiptare dhe LSDM-ja. Ligji përmban 25 nene, dhe parashikon që në të gjitha organet e pushtetit qendror, institucionet qendrore ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, organizata, komisione, persona juridik që kryejnë aktivitete publike sipas ligjit, gjuhë zyrtare përveç maqedonishtes të jetë edhe gjuha që e flasin 20% e qytetarëve të Maqedonisë, në mënyrë të caktuar me ligj.