Presidenti Ilir Meta çmoi me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” këngëtarin e shquar shkodran të muzikës popullore, Bujar Qamili.

“Në vlerësim të kontributeve të vyera, veprimtarisë së shquar dhe nivelit të lartë artistik të arritur gjatë gjithë karrierës së tij në fushën e artit e të muzikës, kryesisht asaj popullore. Me mirënjohje ndaj interpretimeve të shkëlqyera dhe përhapjes së këngëve popullore shqiptare e në veçanti, atyre shkodrane.”

Në veprimtarinë kushtuar vlerësimit të artistit të shquar, të mbajtur në “Pallatin e Brigadave”, Presidenti Meta u shpreh:

“Është kënaqësi shumë e veçantë për mua, të jem sot, së bashkë me ju, për të vlerësuar një artist të madh të Shkodrës dhe mbarë kombit tonë, që ka plot 47 vjet në skenë, një artist që i ka dhënë jo vetëm zërin e tij të jashtëzakonshëm, por mbi të gjitha shpirtin zemrën dhe gjithë jetën e tij muzikës shqiptare, Mjeshtërit të Madh prej 12 vitesh, Bujar Qamili.

Artisti i njohur kudo ku flitet e këndohet shqip Bujar Qamili ka dhënë një kontributit të vyer e të rëndësishëm, në ruajtjen dhe kultivimin e këngës popullore shqiptare, e në mënyrë të veçantë të këngës popullore shkodrane, duke e shtuar dashurinë për këto vlera të jashtëzakonshme kombëtare dhe kulturore.

Bujar Qamili është një këngëtar që i ka kënduar popullit tonë, me pasion e dashuri, që në fëmijërinë e tij.

Ai ka fituar dashurinë dhe admirimin e publikut dhe mbarë artdashësve shqiptarë, dhe ka çuar këngën popullore, këtë trashëgimi të jashtëzakonshme të kulturës shqiptare në majat më të larta, në mbarë botën, kudo ku ka shqiptarë dhe jo vetëm.

Bujar Qamili është një nga kontribuesit më të shquar dhe më të spikatur në fushën e artit, si këngëtar i muzikës popullore shkodrane dhe shqiptare.

Ai është fitues i shumë çmimeve dhe trofeve në konkurse e veprimtari kulturore e artistike kombëtare, përfaqësues i Shqipërisë në festivale ndërkombëtare dhe pjesëmarrës në shumë koncerte në Radio Televizionin Shqiptar.

Gjatë karrierës së tij të gjatë artistike Bujar Qamili ka realizuar edhe shumë koncerte bamirësie, brenda dhe jashtë vendit, duke ndihmuar me fondet e mbledhura shumë fëmijë pa kujdes prindëror në Shtëpitë e Fëmijës, dhe të moshuar në Shtëpitë e të Moshuarve.

Situata e vështirë e pandemisë, nuk e ndaloi Bujar Qamilin.

Ai dha disa koncert madhështore gjatë kësaj periudhe, ku triumfoi me “Dhuratë për Shkodrën”, duke u vlerësuar dhe rikonfirmuar si një idhull i jashtëzakonshëm për të gjithë.

Bujar Qamili është një këngëtar, që me zërin e tij, ka bërë për vete gjithë kombin shqiptar, falë kësaj ai mund të konsiderohet misionar i paqes dhe i dashurisë për interpretimin, kultivimin, dhe përhapjen e artit muzikor shqiptar.

Por kontributi i Bujar Qamilit shtrihet më tej, se sa thjesht interpretimi i këngës popullore shkodrane dhe shqiptare.

Ky këngëtar i madh shquhet edhe për bashkëpunim e jashtëzakonshëm dhe kontribut të lartë në evidentimin dhe inkurajimin e zërave të rinj të muzikës popullore.

Në këtë mënyrë, këngët e bukura popullore do të jetojnë e lulëzojnë brez pas brezi, si vlera të vyera kombëtare, me të cilat shqiptarët ruajnë dhe trashëgojnë gjuhën, muzikën, por dhe dashurinë për kombin e tyre.

“Thot’ bilbili nuk k’ndoj ma,
Ma kalon Bujar Qamili.”