Presidenti Ilir Meta ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e qeverisë për kalimin e pronësisë së Teatrit Kombëtar te Bashkia e Tiranës.
Në një konferencë për shtyp, Presidenti Ilir Meta e ka konsideruar antikushtetues këtë vendim të qeverisë, duke kërkuar shfuqizimin e këtij vendimi të Këshillit të Ministrave.
“Sot kam depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e vendimit nr.377 të datës 8 maj të Këshillit të Ministrave për kalimin në pronësi të pasurisë së Teatrit Kombëtar si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Këshilli i Ministave shpreh vullnetin se me kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, kjo bashki duhet të vijojë procedurat me shembjen e godinës. Me prishjen e tij, trashëgimia kulturore synohet të zhduket. Prishja e godinës do të përbënte shkelje të parimeve kushtetuese. Këto akte duhet shfuqizuar dhe të vendoset për pezullimin e vendimit të tyre”.
Sipas Presidentit Meta, Bashkia e Tiranës është pushtet vendor dhe nuk mund të vendosë për prishjen e një godine me vlera kulturore kombëtare.
“Duke qenë se kjo pasuri është Teatri Kombëtar dhe që lidhet me interesin e përgjithshëm kombëtar, Bashkia nuk mund të ketë në pronësi dhe aq më tepër të shprehet dhe të tejkalojë kufijtë. Pronësia duhet të qëndrojë vetëm në emër të Republikës së Shqipërisë. E drejta për të vendosur nuk i takon vetëm një qeverie apo bashkie, por të gjithë qytetarëve, atëherë i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese për t’u shprehur”.





