Presidenti Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi kanë qenë në një vizitë në SHBA pak ditë më parë, ku janë takuar me lobistin libanez, Safi Kaskas.

Ndonëse nuk ka pasur njoftim zyrtar për këtë udhëtim, ka qenë mikpritësi i tyre që ka publikuar në Facebook foto nga takimi i zhvilluar më 20 korrik, ndërsa shkruan se është ftuar nga çifti presidencial për të vizituar Shqipërinë.

“Unë dhe gruaja ime patëm një vizitë shumë produktive këtë mëngjes me Presidentin e Shqipërisë, Shkëlqesinë e Tij Ilir Meta dhe gruan e tij Monika Kryemadhi. Ne u dhuruam atyre një kopje të librit tim Kur’ani me Referencat në Bibël. Zonja e Parë e Shqipërisë e donte librin dhe u angazhua për ta përkthyer atë në shqip me një grup studiuesish. Ata gjithashtu na ftuan t’i vizitojmë ata në Shqipëri për të festuar fillimin e përkthimit të librit”, shkruan Kaskas.

I pyetur nga një ndjekës në Facebook se nga e njeh Presidentin Meta, ai i përgjigjet se bashkëshortja e tij dhe Kryemadhi kanë punuar prej vitesh së bashku.