Përmes një njoftimi nga zyra e shtypit, Presidenca bën me dije se është kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar.

Në argumentet e parashtruara, Kreu i Shtetit thekson se miratimi i nenit 6 bie në kundështim me objektivat socialet.

VENDIMI:

Në respekt të ushtrimit të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se me Dekretin nr. 10850, datë 30.07.2018, Presidenti i Republikës ka vendosur kthimin në Kuvend të ligjit nr.39/2018, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar, me qëllim rishikimin e nenit 6 të këtij ligji, bazuar në  argumentat e mëposhtme :
 
1.Ndryshimet e realizuara në nenin 6, të ligjit nr. 39/2018, janë të pa argumentuara dhe nga vlerësimi i tyre rezulton se, zbatimi i këtij neni do të sjell uljen e barrës fiskale dhe përfitim financiar vetëm në favor të bizneseve që operojnë në fushën e lojrave të fatit, ndërkohë që ky nen nuk është në interes të publikut, si dhe efektet e pritshme në buxhetin e shtetit apo në ekonominë familjare janë negative.
 
2.Miratimi i nenit 6 të ligjit nr. 39/2018, është në kundërshtim me përmbushjen e objektivave social të shtetit shqiptar parashikuar në nenin 59 të Kushtetutës, bie ndesh me frymën e legjislacionit në fuqi në funksion të dekurajimit të aktivitetit të biznesit në industrinë e lojrave të fatit, si dhe krijon premisë për shtimin e fenomeneve negative që cënojnë familjen shqiptare.
 
Institucioni i Presidentit të Republikës, ka vlerësuar se aplikimi i barrës së lehtësuar fiskale ndaj operatorëve në fushën e lojrave të fatit, nuk është vlerësuar në mënyrë të thelluar nga qeveria dhe Kuvendi, përkundrejt dramave sociale dhe konflikteve në familje që janë shkaktuar në vijimësi nga pjesëmarrja në lojrat e fatit.
 
Argumentat e shtjelluara mbi kthimin për rishqyrtim të nenit 6, të ligjit nr. 39/2018 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar, mund t’i gjeni në faqen zyrtare të institucionit të Presidentit të Republikë.