Presidenca ka reaguar pas reagimeve të kryeministrit Edi Rama dhe delegacionit të BE në vendin tonë rreth deklaratave të bëra dje nga kreu i shtetit, Ilir Meta për reformën në drejtësi dhe EURALIUS.

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi i pyetur nga mediat për një reagim lidhur me qëndrimet e shprehura dje nga Ambasadori i BE-së dhe Kryeministri Rama për reformën në drejtësi sqaron se:

"Presidenti i Republikës, jo vetëm i ka bërë të gjitha përpjekjet e mundshme deri tani, në mënyrë transparente e sistematike, të dokumentuar dhe informale, konstruktive e gjithëpërfshirëse, por edhe do të vazhdojë të bëjë çdo përpjekje për zbatimin kushtetues të reformës në drejtësi, për të evituar vonesat, kolapsin, zbatimin e njëanshëm e përçarës dhe kapjen e sistemit.

Presidenti nuk do të lodhet edhe në të ardhmen, si detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë, të punojë në këtë frymë. Ndërkohë Presidenti nuk ndalon askënd, të këndojë “na fitorja në fitorje”, si në variantin solo, ashtu edhe në kor."