Presidenti Ilir Meta ka nderuar sot në Durrës 5 personalitete të qytetit me titullin “Mjeshtër i madh” për kontributin e tyre të veçantë të dhënë për dekada me radhë gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.

Mjeku epidemiolog Mihal Muka, inxhinieri teknolog Nazif Tivari, violinisti i njohur Enver Qerimi, interpretuesi i njohur i valles në Shqipëri Ibrahim Roçi dhe ushtaraku Alfred Golgota ishin personalitetet e nderuara me titullin e lartë nga Kreu i Shtetit.

Presidenti Meta vlerësoi lart figurën e epidemiologut Mihal Todi Muka, sidomos në këtë periudhë pandemie, kur kontributi i bluzave të bardha merr një rëndësi jetike për shpëtimin e jetës së pacientëve të sëmurë. S

“Sot në ditët e pandemisë botërore po spikat edhe roli i mjekëve si asnjëherë tjetër, por edhe roli i doktor Mukës, që edhe pse ka kaluar dekada në shërbim të qytetarëve të emocionon përkushtimi, humanizmi dhe aftësia e lartë profesionale e tij, si një nga emblemat e shëndetit publik jo vetëm të Durrësit. Formimi i tij si mjek në një nga universitetet e shquara të kohës dhe edukimi i tij shkencor, përvoja laboratorike dhe pedagogjike si dhe aftësitë drejtuese të tij i kanë dhënë jetë, siguri dhe shëndet mbarë qytetarëve durrsakë, madje dhe në ditët e sotme, megjithë moshën e thyer”,– tha presidenti Meta.

Gjatë ceremonisë së rastit, presidenti Ilir Meta vlerësoi edhe kontributin e dhënë nga shoqata “Durrësi” për evidentimin dhe promovimin e personaliteteve publike të qytetit bregdetar.

M.B.