Presidenti Ilir Meta është takuar në Romë me ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Luigi Di Maio.

Kreu i shtetit shqiptar përmes një mesazhi në rrjetet sociale thotë se Italia është partner strategjik i vendit tonë, me rol proaktiv në mbështetje të perspektivës evropiane.

Meta shton se komuniteti i arbëreshëve dhe emigracioni shqiptar në Itali, janë urë e rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Mesazhi i plotë:

Një takim i ngrohtë në Romë me Ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Luigi Di Maio, në punimet e Konferencës Ndërkombëtare “Rrugë të reja për t’u përkujdesuar – Bota pas Pandemisë së COVID-19″.

Italia është një partner strategjik i Shqipërisë, me rol proaktiv në mbështetje të perspektivës tonë europiane, marrëdhëniet e shkëlqyera tradicionale me të cilën meritojnë të fuqizohen më tej, në të gjitha fushat.

Komuniteti arbëresh dhe emigracioni shqiptar në Itali, urë e rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.