Presidenti Ilir Meta i është drejtuar qytetit të Fierit këtë pasdite, për të vizituar familjen e Agur Vrenozit, i mbetur i vdekur teksa tentoi të ndihmonte mikun e tij, i cili po grabitej nga disa hajdutë të armatosur.
Meta vizitoi familjen e Vrenozit dhe e dekoroi këtë të fundit (pas vdekjes) me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”. Presidenti shprehu ngushëllimet e tij dhe solidaritetin e plotë për familjarët e Vrenozit, duke i siguruar se shteti shqiptar do të jetë gjithmonë pranë kësaj familje.
"Autorët e këtij akti kriminal të marrin ndëshkim shembullor nga drejtësia. Ju shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin tim të plotë. Erdha për t'ju shprehur mbështetjen time dhe të shtetit shqiptar, do jemi gjithmonë pranë jush. Është heroi i vlerave qytetare, me figurën e tij sot nderohemi të gjithë. Akti i tij sublim, frymëzues për brezin e ri dhe mbarë shoqërinë tonë”- tha Meta gjatë takimit me familjarët.
Tentativa e Vrenozit për të ndaluar grabitësit bëri që njëri prej tyre ta qëllonte me armë në kokë, duke i shkaktuar kësisoj vdekjen disa orë më pas.





