Presidenti Nishani organizoi një ballo në mbështetje të fëmijëve me sindromën Down. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, kreu i shtetit tha se, “sot këtë ballo ia dedikojmë fëmijëve që kanë një realitet tjetër njerëzor, por janë pjesë e shoqërisë tonë dhe nga dashuria në dashuri, gjithçka e mirë mund të arrihet. “Ndaj tyre nuk mund të rrinë duarkryq dhe kurrsesi nuk mund t’i harrojmë. Ata duhet t’i ndihmojmë dhe për ta diçka duhet të bëjmë”, tha kreu i shtetit, ndërsa theksoi se, ata janë pjesë e shoqërisë, që na mësojnë diçka tepër të vyer, detyrimin moral për t’u kujdesur për ta”.
Në ballo ishin të ftuar politikanë, biznesmenë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Sipas Nishanit, “të duash dikë, për për më tepër fëmijët me sindromën Down, është e pamundur të mos shpërblehesh, e pamundur që ai të mos të dojë. Nga dashuria jonë për ta, tek dashuria e tyre për ne. Nga dashuria në dashuri, gjithçka e mirë mund të arrihet. Duhet të na mjaftonte ky konstatim që ndaj tyre të kemi një vlerësim më të arsyeshëm e të mbajmë një qëndrim më korrekt e më objektiv, e më human”.