DURRES, 19 prill 2013 – Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të titujve “Mjeshtër i madh” dhe “Naim Frashëri i artë” disa figurave të rëndësishme të qytetit të Durrësit. Fillimisht presidenti Nishani ka kryer një vizitë të shkurtër në bashkinë e qytetit ku është pritur nga kryetari i saj Vangjush Dako. Më pas, në sallën e teatrit “Aleksander Moisiu” është zhvilluar ceremonia e dorëzimit të titujve. Titulli “Mjeshtër i Madh” i është akorduar pas vdekjes dy mjekëve mjaft të njohur të qytetit bregdetar, Koçi Moisiu dhe Zef Kaçulini.
Ky titull i është akorduar edhe kompozitorit Ermir Dizdari. Ndërkohë titulli “Naim Frashëri i artë” i është akorduar drejtoreshës së shkollës 9-vjeçare jopublike “Vinçenc Prendushi” Adelaide Montanjoli, dy sipermarrëseve Eleni Babameto dhe Elsa Balteza si dhe sipërmarrësit italian Karmine Çipro.
Presidenti Bujar Nishani ka vlerësuar rolin dhe kontributin e këtyre figurave dhënë ndër vite për qytetin e Durrësit, për zhvillimin e tij në shumë sfera të jetës. Duke vlerësuar rolin e dy mjekëve të njohur të qytetit, që i kanë ardhur në ndihmë me profesionalizëm qindra pacientëve gjatë kohës që ushtronin profesionin e nderuar të mjekut, kreu i shtetit u ndal edhe në kontributin e madhe të dhënë nga tre femrat që u nderuan në këtë ceremoni, përsa i përket edukimit të brezave të tërë nxënësish (Adelaide Montagnoli) dhe zhvillimit ekonomik të qytetit (Elsa Balteza dhe Eleni Babameto).
Vlen të përmendet gjithashtu se dy nga figurat e nderuara mbrëmjen e sotme janë shtetas Italian, çka thekson edhe njëherë lidhjet e forta që ekzistojnë mes Durrësit dhe Italisë, marrëdhënie këto që kanë evoluar edhe më tepër në 20 vitet e fundit.
Dekorimet për personalitetet e mësipërme janë bërë pas propozimit të shoqatës “Durrësi”, ndërsa më vonë aktiviteti ka vazhduar me një program artistik.
/e.a. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





