14gusht 2015 – Presidenti Bujar Nishani rrëzoi sot ligjin për Arsimin e Lartë, duke kërkuar nga mazhoranca rishqyrtim të tij. Kreu i shtetit ka dalë kundër këtij ligji, pasi sipas tij cenohet automonia e universiteteve dhe liria akademike. “Me këtë ligj është shteti në qendër dhe jo universiteti e studentët siç edhe duhet të jetë”, u shpreh presidenti.
Ja arsyet që shënon Nishani:
1-Në këtë proces Institucionet e Arsimit të Lartë dhe studentët kanë një rol vital, gjë e cila do të duhej të shmangte çdo qasje etatiste që rezulton të jetë e mëshiruar në ligjin më të fundit të Arsimit të Lartë në R.SH.
2- Përmes këtij ligji rrezikon të kushtëzohet e drejta për arsimin e lartë nga kriteri i pagesës së tarifave të ndryshme të përcaktuara në ligj, por që mund të arrijnë në shifra të larta të papërballueshme për nivelin mesatar të jetesës në Shqipëri.
3-Ligji ofron një paqartësi të plotë në lidhje me numrin e tarifave që duhet të paguhen nga studentët. Nuk përmban rregullime në lidhje me kufirin minimal dhe maksimal të tarifave që do të vendosen nga IAL-të dhe nuk vendos as kritere bazë mbi të cilat do të orientohen më pas IAL apo edhe KM në përcaktimin e tarifave.
4- Ky Ligj nuk garanton Autonominë e Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe Lirinë Akademike të parashikuar nga Kushtetuta në nenin 57/t të saj.
5- Autonomia e IAL në kuptim të Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese vendim nr. 9/2008 cenohet për sa kohë krijohen apo ristrukturohen Agjenci të ashtuquajtura Autonome, të cilat janë në varësi të plotë të Ministrisë Përgjegjëse për Arsimin dhe pretendohet të realizojnë synimet e kësaj Reforme në drejtim të cilësisë, konkurrueshmërisë dhe garantimit të mundësive të barabarta mbi bazën e meritës dhe transparencës për të gjithë individët që dëshirojnë të ndjekin studimet e larta.
6- Autonomia e Universiteteve duket e cenuar edhe nga ndikimi i ekzekutivit në përbërjen e Bordit të Administrimit.
7- Ministri nuk mund të shkarkojë një funksionar, i cili sipas Kushtetutës emërohet nga Presidenti i Republikës, (rektori).
Pas kthimit te ligjit per Arsimin e Larte, ka reaguar ministrja Lindita Nikolla, e cila deklaroi se ndihet e zhgënjyer nga Nishani. “Presidenti u bë palë me pakicën politike dhe me atë te pedagogëve që e kundërshtuan Ligjin e Arsimit të Lartë”, tha ajo.
Por, pavarësisht debatit, ligji mund të kalojë lehtë në parlament, në shtator, nëse ka shumicë votash. Dhe duke ditur kahun e deputetëve, ligji i Arsimit të Lartë mund të kalojë pa asnjë problem, edhe pse vetë kreu i shtetit ishte kundër.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/