TIRANE, 21 prill 2013- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani uron Presidentin Giorgio Napolitano me rastin e rizgjedhjes në detyrën e lartë të kreut të shtetit italian. Në mesazhin e tij, Presidenti Nishani shkruan:
“I nderuar Zoti President, Rizgjedhja Juaj në postin e lartë të Presidentit të Republikës Italiane më jep nderin dhe kënaqësinë e veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju përcjell Juve, familjes suaj, si edhe popullit mik italian urimet më të përzemërta, për sa më shumë sukses dhe mbarësi!
Kam bindjen e thellë se vazhdimi i mandatit tuaj si President i vendit është një kurorëzim i punës dhe përpjekjeve tuaja të suksesshme në dobi të popullit mik italian, të paqes dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë. Jam i sigurt se kjo rizgjedhje do të influencojë mjaft pozitivisht edhe në përparimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve tona.
Me këtë rast, dëshiroj të shpreh bindjen time të thellë se miqësia historike, partneriteti dhe bashkëpunimi i frytshëm midis Shqipërisë dhe Italisë do të vazhdojnë të konsolidohen e të zhvillohen më tej, në interes të begatisë së dy popujve tanë dhe të përpjekjeve të Shtetit Shqiptar për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor", përfundon mesazhi i presidentit shqiptar, Bujar Nishani.





