SHBA – Pas fitores në një garë të ashpër presidenciale, Presidenti amerikan Barak Obama bëri zyrtarisht betimin në një ceremoni private në Shtëpinë e Bardhë.
Zoti Obama bëri betimin me dorën mbi një Bibël që i përket familjes së zonjës së parë, Michelle Obama.
Sot paradite, presidenti dhe nënpresidenti Joe Biden, i cili bëri betimin më parë, morën pjesë në ceremoninë tradicionale të vendosjes së kurorës tek Ushtari i Panjohur në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit.
Kushtetuta amerikane kërkon që presidenti të bëjë betimin më 20 janar. Meqë kjo datë këtë vit është ditë e dielë, presidenti dhe nënpresidenti do ta ribëjnë betimin nesër në një ceremoni tradicionale publike, përpara ndërtesës së Kongresit.