Deputetja socialiste, Klodiana Spahiu, thekson se më i rëndësishëm se emri i njërit apo tjetrit kandidat për postin e kreut të shtetit, rëndësi ka mënyra e zhvillimit të këtij procesi. Sipas saj procesi duhet të jetë korrekt e me standarde

Nuk ka rëndësi nëse do të jetë Fatos Nano apo dikush tjetër kandidaturë për President të Republikës, e rëndësishme është mënyra se si do të zhvillohet procesi. Kështu ka deklaruar deputetja socialiste Klodiana Spahiu sipas të cilës Partia Socialiste është e interesuar më tepër për mënyrën se si do të zhvillohet procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Duke u ndalur tek problematikat e konstatuara në sektorin e shëndetësisë, Spahiu ndalet në disa nga ato që janë sipas saj shkeljet më të mëdha nga drejtuesit e kësaj ministrie. Abuzimet në tenderat për prokurimin e ilaçeve, korrupsioni apo organika mjaft e fryrë e spitaleve janë shkeljet që janë evidentuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, por janë pranuar edhe nga drejtues të këtij dikasteri. Në një intervistë për gazetën “Dyrrah” Spahiu do të ndalej edhe në çështje që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore.

Cili është vlerësimi juaj në lidhje me kandidaturën e Fatos Nanos  për President?

Për mendimin tim nuk ka rëndësi nëse është apo jo Fatos Nano kandidatura për President të Republikës, e rëndësishme është mënyra se si do të zhvillohet procesi për zgjedhjen e Presidentit. Aktualisht nuk ka bisedime apo emra konkretë, por ka një vullnet për të insistuar në zhvillimin e një procesi korrekt dhe me standarde.

Cili është mendimi juaj në lidhje me kërkesat e partive të vogla për të ndryshuar kodin zgjedhor?

Unë mendoj se proporcionali është sistemi më efikas dhe i përshtatshëm për realitetin shqiptar. Jam kategorikisht kundër sistemit mazhoritar për shumë arsye, mes të cilave dhe për faktin se ky sistem do t’u jepte shumë akses dhe fuqi njerëzve me pushtet të fortë ekonomik.

Ditët e fundit keni reaguar fort në Parlament në lidhje me problemet që ka sistemi ynë shëndetësor. Ku ka konsistuar ky reagim?

Nuk ka më pikë dyshimi nga askush që sistemi ynë shëndetësor është kryekëput i dështuar dhe thellësisht i korruptuar. Korrupsioni është edhe shkaku kryesor i dështimit te tij. Jo për herë të parë këtij përfundimi i është bashkuar edhe institucioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Në analizën e punës së këtij institucioni për vitin 2011, thuhet midis të tjerash që “në Ministrinë e Shëndetësisë, në qendrën spitalore “Nënë Tereza” shumica e tenderave janë kryer pa shpallje, vetëm me negocim dhe se kjo qendër ka shkelur disa parime të disiplinës financiare, me vlerë prej rreth 148 milionë lekësh.

Gjithashtu kjo ministri thuhet tekstualisht që është kapur në flagrancë për shkelje te kryera në dëm të shtetit me një vlerë financiare prej 183 mijë lekësh dhe për të cilat KLSH kërkon shlyerjen në masën 100%”. Kjo është vetëm maja e ajsbergut të shpërdorimeve që ndodhin përditë në këtë sektor kaq shumë të dëshiruar dhe të munguar nga gjithë popullata.

Shpeshherë ne si opozitë me forcën e logjikës kemi denoncuar shkeljet dhe korrupsionin  në mënyrën e tenderimit të ilaçeve duke përmendur emra konkretë abuzuesish, por nuk ka patur asnjë lloj reflektimi. Tashmë me teorinë e zhvatjes se po vjen fundi, korrupsioni ka prekur dhe mbetjet spitalore.

Cila është problematika që paraqitet përsa i përket mbetjeve spitalore?

Problematika e trajtimit të mbetjeve spitalore është alarmante. Po ju them jo vetëm si mjeke e deputete, por edhe si qytetare e zakonshme e këtij vendi se është një skenë e denjë vetëm për filma horror, apo për pamjen e ndonjë vendi pas ndonjë lufte të përgjakshme. Nga raportimet shkresore të një pjese të mirë të spitaleve mbetjet spitalore digjen në kushte primitive, ndërsa nuk mungojnë rastet kur ato hidhen ku të munden duke mos marrë parasysh efektet negative në komunitet.

Historia nuk mbaron këtu pasi mbetjet nga materniteti ku bëjnë pjesë inde të trupit të njeriut përfshirë edhe placentat merren nga qentë endacakë, që i shpërndajnë ato nëpër rrugët e qytetit duke përbërë kështu burim infeksioni për të gjithë banorët. E ngjashme është gjendja në shumë rrethe të tjera, madje edhe në Fier ku pretendohet se ka edhe një hidroklavë të fuqishme dhe ku  dhe sipas kontrollit të KLSH-së djegia bëhet në natyrë.

Sipas studimeve mbetjet spitalore zënë vetëm 0,17% te mbetjeve në përgjithësi dhe ka që në tetor të 2010-ës që është miratuar në Këshillin e Ministrave rregullorja për administrimin e mbetjeve spitalore, që do të eliminoheshin përmes sterilizimit me presion dhe avull. Kanë kaluar 18 muaj dhe ja se ku jemi.

Ç’mund të na thoni për situatën përsa i përket furnizimit me ilaçe në sistemin tonë shëndetësor?

Mungesa e theksuar e ilaçeve nëpër spitale është kthyer në refren të ditës për çdo të sëmurë që përplaset në dyert e tyre. Mungesa e protokolleve të diagnozës dhe mjekimit për të cilat ka 10 vjet që flitet e akoma nuk janë realizuar, krijon mundësi për abuzim pa fund në lidhje me skemat e mjekimit që duhej të ishin standarde e në bazë të tyre të bëhej edhe kostifikimi i diagnozës.

Sot në spitale mungojnë medikamentet bazë,  më të rëndësishmet, dhe çuditërisht mund të gjesh preparate që janë luks edhe në spitale perëndimore. Edhe sipas kontrolleve të ndryshme të KLSH-së është vënë re se QSUT ose furnizohet shumë ose nuk furnizohet fare duke shkaktuar kështu mungesa të theksuara të medikamenteve më të nevojshme.

Në këto raste autoritetet “detyrohen” të kryejnë blerje me prokurim të drejtpërdrejtë, duke shpenzuar më tepër para sesa ishte parashikuar në fillim. Në QSUT aktualisht mungojnë 200 lloje ilaçesh për të cilat janë duke u zhvilluar tenderat. Edhe pse faza e pare e furnizimit me ilaçe përfundoi në janar të këtij viti, sërish në pjesën më të madhe te pavijoneve, ilaçet mungojnë duke i detyruar pacientet që t’i blejnë.

Sipas të dhënave të bëra publike në agjencinë e prokurimeve publike, tenderat për kimioterapinë dhe për ilaçet e onkohematologjise janë zhvilluar, por 60 % e ilaçeve dorëzohen në nëntor. Deri atëherë rrofshin agjencitë funerale që janë bërë si kërpudha rreth spitaleve. Në këtë vend  për çudi sarkazma arrin deri në përfitimin nga funerali.

Gjithashtu janë hasur shumë raste kur ilaçet janë marrë nga subjekte të njëjtë duke ulur kështu konkurrencën në treg si dhe duke rritur përqendrimin e fondeve në depot e caktuara dhe më saktë në  njerëz pranë Ministrit Vasili. Shembuj ka plot, por do përmend këtu rastin e një antibiotiku shurup që u fut në listën e barnave spitalore edhe pse shurupet nuk përdoren nëpër spitale terciare, pra është një nonsens dhe përveç kësaj është blerë në një sasi të madhe prej 4500 flakonësh, me një vlerë qe kap shifrën 8.484.670 lekë, për të mos folur më pas për barnat onkologjike, ku 2/3 e buxhetit për to e zënë firma farmaceutike të privilegjuara, të cilat nuk kanë ekskluzivitet importi për asnjë prej tyre, por kanë ekskluzivitet për të fituar tendera.

Këto, sigurisht jo me emra konkretë, i kanë pohuar në tetor të 2011-ës vetë drejtues të ministrisë, të cilët pranojnë që te Onkologjiku dhe jo vetëm, ka shkelje dhe parregullsi dhe dëmi material për këto abuzime me barnat kap shifrën e rreth 1 milion eurove. Gjithashtu abuzimet dhe shkeljet nuk kufizohen vetëm në medikamentet, por përfshijnë edhe ato për dhënien me qira të objekteve spitalore, tenderave për pastrimin, blerjen e aparaturave mjekësore, punësimin mbi organikën e lejuar  për arsye përfitimi dhe elektorale.

A ka fakte konkrete në lidhje me këtë çështje?

 Sipas të dhënave të fundit në QSUT mbahen rreth 290 infermierë mbi organikë me kontrata te përkohshme dy ose tre mujore, të cilët janë të terrorizuar për vazhdimësinë e punës dhe nuk guxojnë të reagojnë. E njëjta situatë është dhe në administratë me një organikë tullumbace që paguhet me taksat e qytetarëve dhe të ardhurat dytësore.