Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka takuar përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Federica Mogherini në Berlin, ku pritet të mbahet më vonë Samiti për Ballkanin Perëndimor.
Menjëherë pas takimit, Vuçiç në një deklaratë për gazetarët e ka cilësuar bisedën me Mogherinin si diçka të mirë dhe se janë pajtuar plotësisht për rëndësinë e vazhdimit të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës.
“Nuk dua të bëj një cirk politik. Ne duam të ruajmë stabilitetin, paqen dhe të fillojmë të zgjidhim ato probleme që janë aktuale. Unë nuk jam optimist se diçka sonte do të zgjidhet në Berlin”, është shprehur Vuçiç.
Në fjalën e tij, Vuçiç ka theksuar se me Mogherinin kanë diskutuar një sërë temash atë të shfuqëzimit e taksave të vendosur nga Prishtina dhe se Serbia është e gatshme për vazhdimin e dialogut.