Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka uruar homologun e tij rus, Vladimir Putin për fitoren në zgjedhjet presidenciale.
Vuçiç ka thënë të martën se letrën e urimit për Putinin ia ka dorëzuar ambasadorit rus në Beograd, Alexander Bocan Harchenko.
“Në të, përveç se i kam uruar fitoren, i kam sqaruar edhe peshën e situatës me të cilët po përballen serbët në Kosovë dhe Metohi, sfidat e mëdha politike me të cilat përballet Serbia, dhe e kam falënderuar Rusinë për mbështetjen e saj për integritetin territorial të Serbisë”, ka thënë Vuçiç në Instagram.
Presidenti i Serbisë ka folur me ambasadorin rus dy ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve treditore presidenciale në Rusi, të cilat i ka fituar Putini.
Perëndimi ka thënë se nuk i konsideron këto zgjedhje, as të lira, as të drejta.
Autoritetet e Serbisë e kanë dërguar në Rusi një delegacion vëzhguesish për të parë prej afër procesin zgjedhor.