Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nënshkroi ditën e shtunë, faljen e dënimit për tre persona të dënuar për vrasjen e anëtarëve të familjes së një shqiptari, pasi ky i fundit besohej se ishte bashkëpunëtor me forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

Autorët e vrasjes, Burim Ramadani, Arsim Ramadani dhe Arben Kiçina ishin dënuar me 30 vjet heqje lirie në një proces të gjatë gjyqësor, nën akuzat se më 20 gusht të vitit 2001 kanë vrarë Hamëz Hajrën dhe 4 anëtarët e familjes së tij në fshatin, Baicë të Kosovës.

Viktima Hamëz Hajra, i cili konsiderohej si bashkëpunëtor i regjimit të Beogradit gjatë viteve të 90-të, ishte duke udhëtuar me makinë së bashkë me gruan dhe katër fëmijët e tij, kur u qëllua më armë zjarri. Vetëm njëri nga fëmijët i mbijetoi sulmit.

Në vitin 2002 policia arrestoi 12 persona, ish-pjesëtarë të UÇK, të dyshuar për vrasjen në fjalë. Në prill të vitit 2005 ata u dënuan gjithsej me 185 vjet heqje lirie, ndërsa në shqyrtimin e dytë të çështjes, në 2008-n, Gjykata e Lartë liroi pjesën më të madhe të tyre. ndërsa vërtetoi dënimet për pesë të akuzuar në vitin 2009, përfshirë Jeton Kiçinën, që u dënua me 16 vjet dhe Blerim Kiçinën me 11 vjet heqje lirie. Ky i fundit, pasi pranoi akuzat, denoncoi edhe katër persona të tjerë si pjesëmarrës në krim. Ai më pas e tërhoqi deklaratën e tij.

Familjarët dhe avokatët e të liruarve thanë se falja e dënimit, nuk është vënie e drejtësisë në vend, pasi sipas tyre të akuzuarit janë dënuar pa asnjë provë ndaj tyre. Madje vëllai i dy të akuzuarve Burim dhe Arsim Ramadani ka thënë në një intervistë për mediat se të gjitha provat dhe faktet flasin se rasti në fjalë ishte i montuar.