Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi do të pritet së shpejti në Shtëpinë e Bardhë nga zëvendëspresidenti amerikan Michael Pence, njoftojnë zyrtarët në Prishtinë.
Thaçi do të kërkojë vazhdimin e mbështetjes amerikane për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, zhvillimin e saj ekonomik dhe integrimin e saj në institucionet euroatlantike, njoftoi zyra e Presidentit të Kosovës në faqen e saj online.
Presidenti Thaçi do të kërkojë edhe përfshirjen e SHBA-së në fazën e fundit të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, si garanci për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon, tha zyra e tij.
Para vizitës në SHBA, Presidenti i Kosovës do të pritet të enjten në Vatikan nga Papa Françesku.
Ai do të bisedojë me Papën për krijimin e Komisionit mbi të Vërtetën dhe Pajtimin dhe procesin e normalizimit Kosovë-Serbi, që synon përmbylljen e konfliktit shekullor dhe pajtimin ndërmjet dy shteteve dhe popujve, njofton zyra e Presidentit.