Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka kërcënuar edhe Irakun, një ditë pasi Parlamenti i këtij vendi miratoi një rezolutë që kërkon largimin e trupave amerikane.

“Kemi një bazë ajrore në Irak jashtëzakonisht të shtrenjtë. Kushtoi miliarda Dollarë për ta ndërtuar. Nuk do të largohemi vetëm nëse na paguajnë për ndërtimin e bazës”, u tha Trump gazetarëve.

Parlamenti i Irakut miratoi këtë rezolutë pas vrasjes së gjeneralit iranian Qasem Soleimani nga SHBA. Soleimani, i konsideruar si arkitekti i sigurisë së Iranit, u vra në Bagdad të Irakut nga një sulm me raketa të lëshuara nga droni.

Sulmi u krye nga SHBA me urdhër të Presidentit amerikan Donald Trump, pasi Soleimani konsiderohej nga Uashingtoni si ideatori i shumë sulmeve ndaj diplomatëve amerikanë dhe bazave ushtarake në Lindjen e Mesme.

Vrasja e tij u cilësua nga Donald Trump si masë mbrojtëse, pasi Qasem Soleimani po planifikonte sulme të tjera.

Eliminimi i tij rriti në maksimum tensionet mes SHBA-së dhe Iranit. Një ditë më parë, Teherani zyrtar njoftoi se nuk do të zbatojë asnjë kufizim të vendosur nga marrëveshja për armët bërthamore e vitit 2015, dhe do të vazhdojë pasurimin e uraniumit.