Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka folur për herë të parë për incidentin e ndodhur në vizitën e saj të fundit diplomatike në Turqi, ku u la pa karrige.
Në një fjalim të mbajtur në parlamentin evropian, kryekomisionerja u shpreh se mendon se ky veprim ka ndodhur vetëm sepse është një grua.
“Unë dola në përfundim se kjo ndodhi vetëm sepse jam një grua. Jam e sigurt se gratë e parlamentit e dinë saktësisht si kam ndjerë unë. U ndjeva e lënduar dhe vetëm, si një grua dhe si evropiane. Kjo tregon punën që duhet të bëjmë që gratë të trajtohen në mënyrë të barabartë. Gjithmonë, dhe kudo!”, tha ajo.
Takimi me presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel dhe presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, u zhvillua në fillim të prillit, për shkak të shqetësimit të BE lidhur me tërheqjes nga Konventa e Stambollit dhe respektimit të të drejtave të njeriut në Turqi.
Pasi presidenti turk ka mirëpritur dy liderët evropian dhe pasi shkëmbyen disa fjalë, në momentin që secili prej tyre do të ulej në një ndër karriget të ndodhura aty, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyn, mbeti në këmbë, duke shkaktuar një moment tepër të sikletshëm.





