Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan shprehu të shtunën herët mbështetjen për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, duke thënë se vendi i shkatërruar nga lufta meriton t’i bashkohet aleancës.
Erdogan i bëri komentet në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski, i cili mbërriti në Turqi në kuadër të një turneu evropian për të siguruar mbështetjen për anëtarësimin e Ukrainës në aleancën ushtarake pas përfundimit të luftës me Rusinë.
Udhëheqësit e NATO-s që takohen në Vilnius të Lituanisë javën e ardhshme pritet të riafirmojnë se Ukraina do t’i bashkohet aleancës së tyre në të ardhmen.
“Nuk ka dyshim se Ukraina e meriton anëtarësimin në NATO”, u tha Erdogan gazetarëve.
Mbështetja e tij për Ukrainën vjen pasi Turqia ka vonuar dhënien e miratimit përfundimtar për anëtarësimin e Suedisë në NATO, duke thënë se Stokholmi nuk po godet sa duhet militantët kurdë dhe grupet e tjera që Ankaraja i sheh si kërcënim për sigurinë e saj.
Suedia, së bashku me Finlandën, hoqi dorë nga statusi i vendit neutral që e mbajti për disa dekada dhe aplikoi për anëtarësim në NATO-n pas fillimit të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës vitin e kaluar. Parlamenti i Turqisë ratifikoi anëtarësimin e Finlandës në fillim të këtij viti, pasi Ankaraja shprehu kënaqësinë me përpjekjet e saj për të trajtuar shqetësimet e sigurisë së Turqisë.
Presidenti Erdogan tha gjithashtu se Turqia po punonte drejt zgjerimit të një marrëveshjeje për drithin, të ndërmjetësuar nga Turqia dhe OKB-ja, e cila i ka hapur rrugën eksportit të më shumë se 30 milionë tonë drithërave ukrainase përmes Detit të Zi.
Marrëveshja, e cila ndihmoi në zbutjen e rritjes së çmimeve globale të ushqimit, do të skadojë më 17 korrik. Rusia ka hezituar të zgjasë marrëveshjen, duke përmendur pengesat për eksportet e saj të ushqimit dhe plehrave.
Presidenti Zelenski akuzoi Rusinë për pengim të lëvizjes së anijeve.
“Rusia sillet sikur kontrollon të gjithë Detin e Zi, sikur të jetë pronar i gjithë zonës”, tha Presidenti Zelenski në udhëtimin e tij të parë në Turqi që nga fillimi i sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Zoti Erdogan tha se Presidenti rus Vladimir Putin do të vizitonte Turqinë në gusht, kur ai shpresonte të diskutonte rinovimin e marrëveshjes së drithit, si dhe arritjen e një marrëveshje për një shkëmbim të mundshëm të të burgosurve.
Turqia ka mbajtur lidhje të ngushta me Ukrainën dhe Rusinë, duke i përdorur marrëdhëniet e saj me të dyja vendet për të vepruar si pale ndërmjetësuese.