Presidenti turk Rexhep Taip Erdoan lëshoi një paralajmërim të ashpër ndaj homologut të tij amerikan, i cili ka në plan të njohë Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Nëse kjo ndodh, Turqia do të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Izraelin.

“Zoti Trump, Jerusalemi është vijë e kuqe për myslimanët. Për këtë çështje, mund të arrihet deri atje sa të ndërpresim marrëdhëniet diplomatike me Izraelin.”

Komentet, Erdoan i bëri gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim që ai drejton. Kundërshtimi i fortë i presidentit turk është një ndër reagimet e shumta që vijnë nga bota myslimane për këtë çështje. Organizata radikale islamike palestineze Hamas paralajmëroi Shtetet e Bashkuara me një revoltë të madhe. Lidhja Arabe tha se një vendim i tillë do të rikthente konfliktin e përgjakshëm Izrael–Palestinë. Arabia Saudite tha ky hap minon procesin e paqes mes dy popujve.

Jerusalemi konsiderohet qytet i shenjtë si për hebrenjtë ashtu edhe për myslimanët. Mollë sherri është aktualisht pjesa lindore e populluar nga arabët, të cilën izraelitët e kanë nën kontroll prej 1967-ës. Palestinezët kërkojnë ajo zonë të jetë kryeqytet i shtetit të tyre të pavarur. Ndërsa izraelitët pretendojnë se i gjithë qyteti është pjesë e kombit të tyre.