Presidenti Bujar Nishani tha sot se, te liqeni artificial po vepron mafia e ndërtimit. Një ditë më parë kreu i shtetit iu bashkua protestuesve që prej disa javësh ngrihen kundër betonizimit të liqenit në Tiranë.

“Është e drejta më elementare e qytetarëve të cilët ta kundërshtojnë në mënyrë paqësore, civile dhe ligjore. Këta djem dhe vajza që dikush i shikon dhe thotë që janë pak, unë besoj që ndoshta në numër është më i vogël nga votat që ka marrë një Kryetar Bashkie apo një Kryeministër, por asesi nuk mund të krahasohet ndoshta me ndjeshmërinë dhe perceptimin që mund të kenë mijëra dhe qindra mijëra të tjerë të cilët edhe për fakte dhe rrethana të tjera nuk ofrohen”, tha Nishani. “Kundërshtarët më të egër dhe më të ashpër të atyre djemve dhe vajzave janë rrogëtarët e mafies së betonit në Tiranë. A mundem unë që si President i Republikës të trembem, kompleksohem apo të tërhiqem nga këto relacione, angazhime? Kurrsesi, përndryshe nuk do ta meritoj asnjë ditë qëndrimin tim në zyrën e Presidentit të Republikës”, ishte deklarata e fortë e presidentit.

Sipas tij, Prokuroria duhet të hetojë Veliajn dhe kush qëndron pas ndërtimit.