Presidentit serb Aleksandër Vuçiç iu ndalua nga autoritetet kroate një vizitë private në Jasenovac, ku sipas mediave vendase arsyeja ka qenë pasi ai ka dashur të shkaktojë ‘kaos.’

Por sipas mediave serbe, qëllimi është që Vuçiç të mos bëjë nderime për viktimat serbe dhe të mos e thotë të vërtetën për vuajtjet e serbëve në Jasenovac. Vuçiç padyshim mund të shkojë kudo në Kroaci, por jo në Jasenovac. 

Vuçiç, sipas burimeve nga qeveria e Plenkoviqit, kishte kontaktuar me kryetarin e partisë serbe, SDSS, Milorad Pupovac të cilit i kishte treguar se po planifikonte një vizitë private në Jasenovac, në zonën përkujtimore ku vdiqën shumë serbë në Luftën e Dytë Botërore.

Ai e kishte ftuar Pupovacin që t’i bashkohej dhe kishte thënë se, nëse e konsideronte të nevojshme, do ta informonte qeverinë kroate për vizitën e tij, gjë që e bëri Pupovac dhe qeveria kroate, siç shkruan Jutarnji, u trondit nga mënyra se si presidenti serb kishte planifikuar të krijonte kaos në Kroaci.

Pa njoftim zyrtar të autoriteteve kroate, pa koordinim me ambasadën, Vuçiç kishte dashur ta kalonte kufirin nga Bosnjë e Hercegovina, përkatësisht entiteti i saj Republika Srpska dhe të mbërrinte në Jasenovac rreth orës 11:00 dhe më pas në Pakrac rreth orës 14:00.

Në kampin e Jasenovacit, sipas raporteve të komisioneve të pavarura, u vranë 700.000 serbë, hebrenj dhe romë, dhe kampi ishte vend i vuajtjeve masive të grave dhe fëmijëve.