SEUL, 22 mars 2013 – Tensionet me Korenë e Veriut, kriza ekonomike dhe sulmi kibernetik që së fundmi “errësoi” mijëra kompjuterë në Korenë e Jugut, nuk penguan presidenten e vendit, Park Geu-hye që të firmoste ligjin për “tejekspozimin”. Ligji hyri në fuqi ditën e premte dhe do të penalizojë të gjitha femrat që zgjedhin një veshje “të pamoralshme”. Por cila do të quhet “veshje e pamoralshme”? Sipas ligjit të ri, minifundet e tepruara dhe veshje të tjera provokuese që vendosin në siklet personat e tjerë në publik, quhen të pamoralshme dhe femra që zgjedh një veshje të tillë gjobitet me 50 mijë uon, ose rreth 40 euro.
Masa e presidentes jug-koreane nuk është pritur mirë në Seul, sidomos nga grupet e muzikës pop, të bëra të famshme në gjithë Azinë pikërisht për mënyrën provokuese të veshjes së tyre, ndërsa femrat e famshme “kanë provokuar” duke postuar në rrjetet sociale foto me minifunde “të jashtëligjshme”, duke deklaruar se një gjobë s’mund t’iu imponojë lirinë e veshjes.
Opozita e vendit ka kritikuar gjithashtu këtë nismë, që e krahason të njëjtë me censurën e paraqitjes së vendosur nga regjimi komunist në Korenë e Veriut.
Por veç publikut dhe klasës politike, kundër normës kanë dalë edhe organet ligj-zbatuese. Forcat e policisë reaguan për pamundësinë e zbatimit të këtij ligji. “Sigurisht, ne nuk do të dalim me metër në dorë dhe të masim minifundet, fundet apo fustanet e çdo femre”, deklaroi një drejtor i lartë i policisë në Seul.
Ligji u solli në kujtesë jug-koreanëve periudhën e presidencës së Park Chung-hee, babai i presidentes aktuale. Ai e udhëhoqi vendin nga viti 1963 deri në vitin 1979, vite në të cilat vendosi një ligj që ndalonte fundet dhe fustanet 20 centimetra mbi gjunj.





