Në qendër të bisedës mes Presidentit të Republikës Bajram Begaj dhe homologes së tij hungareze Katalin Novak ka qenë bashkëpunimi mes dy vendeve, procesi i integrimit në BE dhe zhvillimet aktuale në rajon.

Në konferencë të përbashkët me Novak, Begaj u shpreh falenderues ndaj Hungarisë për angazhimin e madh të saj në stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Vlerësova marrëdhëniet shumë të mira, historike e tradicionalisht miqësore midis dy vendeve. Heronjtë kombëtarë të dy vendeve tona, Skënderbeu dhe Huniadi, hodhën bazat e një partneriteti strategjik. I shpreha keqardhjen Presidentes Novak, për ushtarët hungarezë të lënduar në Veri të Kosovës. Faleminderit Hungarisë që inicioi shpalljen nga OKB të 5 shtatorit si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë në nderim të shenjtores shqiptare, Nënë Tereza. Falë vizionit të përbashkët euroatlantik, marrëdhëniet politike dypalëshe janë forcuar edhe më shumë. Dy vendet tona janë aleate në NATO dhe bashkëpunojnë ngushtë në kuadër të procesit të integrimit në BE të Shqipërisë.

Vëmendje shumë të veçantë ia kushtuam bashkëpunimit ekonomik e tregtar. Vlerësova interesin në rritje të bizneseve hungareze për të investuar në Shqipëri.  Kërkova ndihmën e Presidentes Novak, për ta inkurajuar më shumë biznesin hungarez të orientohet drejt tregut shqiptar. Mundësitë janë shumë të mëdha. Mirënjohje për mbështetjen që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Vlerësova angazhimin e madh të Hungarisë për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Vlerësova kontributin e gjatë me trupa ushtarake në Kosovë, në kuadër të KFOR-it.

Për ne ka rëndësi shumë të madhe mbështetja e dialogut, si dhe mbështetja e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe në KiE. Vlerësuam dhe bashkëpunimin shumë të mirë në kuadër të organizatave ndërkombëtare.  Hungaria  mbështeti kandidaturën e Shqipërisë për të qenë anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, deklaroi kreu i shtetit.

Nga ana tjetër, Novak u shpreh se Ballkani Perëndimor duhet mbajtur në vëzhgim pasi situatat këtu përshkallëzojnë shpejt. Për tensionet në veri të Kosovës, ajo shpresoi sa më shpejt për një paqe afatgjatë.

“Ju përshëndes përzemërsisht, ju falenderoj për mikëpritjen. Jam e lumtur që jam në Tiranë, jemi zgjedhur thuajse në të njëjtën kohë. Gjatë këtij viti jam përpjekur të jem aktive në mënyrë diplomatike dhe BP është shumë i rëndësishëm sepse është pengu i sigurisë së Europës, prandaj duhet që kombet e këtij rajoni duhet sa më shpejt të bashkohen me Bashkimin Evropian. Prandaj kam ardhur, kam takuar të gjithë liderët e rajonit dhe u sigurova mbështetjen tonë në integrimin. Dua të theksoj 5 tema që folëm bashkë, në radhë të parë integrimi euro-atlantik të BP, migrimin illegal, bashkëpunimin ekonomik dhe demografinë. Më e rëndësishmja është stabiliteti, e gjithë vëmendja është në Ukrainë, por BP është një rajon ku situate përshkallëzohet shpejt, sidomos në Bosnje dhe Kosovë.

Kemi pasur parasysh paqen dhe stabilitetin e Kosovës dhe rajonit, e përpiqemi përmes dialogut ta mbështetim. Jam e lumtur që diplomatët hungarezë e ndihmojnë Shqipërinë dhe në çdo forum ne themi se sa më shpejt duhet që Shqipëria të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Kombi është në rrugën e duhur, kemi mbi 400 trupa në Kosovë te KFOR. Falenderoj zotin President për shprehjen e keqardhjes dhe uroj shërim sa më të shpejtë për ushtarët që janë lënduar atje, i kam vizituar dhe dje në spital. I falenderoj që kanë qenë guximtarë dhe bujarë, shpresojmë që situata të qetësohet sa më shpejt dhe të gjejmë rrugën për paqe afatgjatë. Tema jonë tjetër është dhe lufta në Ukrainë”, u shpreh Novak.