Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar “idiot ndërkombëtar” prokurorin e Hagës, Matt Halling, i cili në fjalën e tij në seancën gjyqësore ndaj liderëve të UÇK-së, tha se ndërkombëtarët nuk e kishin kuptuar se Hashim Thaçi kishte maskuar realitetin, lidhur me luftën në Kosovë.

“Çfarë IDIOTI NDËRKOMBËTAR🤡”, ka shkuar Rama krahas një video të Matt Halling nga seanca gjyqësore në Prokurorinë Speciale.

Halling deklaron se James Rubin, Wesley Clark dhe ndërkombëtarët e tjerë nuk e kuptojnë që HashimThaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhtë në realitet dhe kjo, sipas tij, ndikoi në botëkuptimin e tyre.

“Ajo që nuk kuptojnë James Rubin, Wesley Clark dhe ndërkombëtarë të tjerë është që Thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte në realitet dhe kjo ndikoi në botëkuptimin e tyre për të kuptuar vërtet se si funksiononte UÇK-ja.

Veçanërisht Rubin dhe Clark treguan se nuk kishin asnjë interes për të kuptuar çfarë ndodhte në realitet dhe besonin se puna e tyre ishte në anën e duhur të historisë dhe nuk u përballën me atë çka po dëgjon tashmë ky trup gjykues dhe për të cilat do të marrë edhe vendimet përkatëse. Vendimet e tyre në fakt nuk ishin në përputhje as më standardet ligjore ndërkombëtare sa i takon kontrollit efektiv.

Kryekomandanti i identifikuar i UÇK-së mund të mos ketë qenë në gjendej të ushtoj komandën sikurse ushtria e NATO-s apo SHBA, por as nuk kishte pse ta bënte këtë. Paragrafi 613 i dosjes sonë flet për shumëllojshmërinë e hierarkive, që janë të mjaftueshme për të kontestuar përgjegjësinë eprore sipër të drejtës ndërkombëtare humanitare”, tha Matt Halling.

Kujtojmë se sot është dita e dytë e shpalosjes së deklaratave përmbyllëse në rastin gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

Për rolin e tyre si ish-eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në kohën e luftës në Kosovë, Prokuroria ka kërkuar për katër të akuzuarit nga 45 vjet burgim për secilin.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm. Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues dhe gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.