Marcelino Abad Tolentino, një fermer i thjeshtë nga Peruja, ka festuar ditëlindjen e tij të 125-të, duke u bërë një nga kandidatët më seriozë për titullin “njeriu më i vjetër në botë”.

I njohur me nofkën “Mashico”, Marcelino ka lindur më 5 prill 1900 – të paktën sipas kartës së identitetit të lëshuar nga shteti peruan, edhe pse nuk disponon një certifikatë lindjeje. Festën e mbushi me buzëqeshje dhe përqafime në azilin ku jeton, i rrethuar nga kujdestarët dhe stafi që e konsideron tashmë një legjendë të gjallë.

Jetesa e tij ka qenë e lidhur ngushtë me natyrën – në mes të florës dhe faunës së Huánuco-s, duke ndjekur një dietë të thjeshtë me fruta, perime dhe – tashmë – një avokado të përditshme që nuk mungon kurrë në mëngjesin e tij.

Rritur si jetim, pasi humbi prindërit në një përmbytje në moshën 7-vjeçare, Marcelino nuk u martua kurrë dhe nuk pati fëmijë. Ai punoi për dekada si fermer dhe murator, duke jetuar pa energji elektrike deri në moshën 119 vjeç.

Historia e tij u zbulua vetëm në vitin 2019, kur u përfshi në një program shtetëror që i siguroi atij akses në pension dhe shërbime sociale. Qeveria peruane ka nisur tashmë procedurat për ta propozuar zyrtarisht për Libri i Rekordeve Guinness si njeriu më i vjetër në histori.

Nëse mosha e tij konfirmohet, Marcelino do të thyejë rekordin e vendosur nga Jeanne Calment nga Franca, e cila jetoi deri në 122 vjeç e 164 ditë.