Harallamb Qaqi zgjodhi të rikthehet te Teuta pas një sezoni me Elbasanin. Qaqi tregoi pse zgjodhi të vijojë karrierën te Teuta, ambientin që gjeti në skuadër dhe objektivat e sezonit.
Qaqi, cila ishte arsyeja e largimit nga Elbasani?
Kishte ardhur momenti për të ndryshuar ambient dhe të provoja një eksperiencë të re. Unë dua të falënderoj presidentin, drejtorin sportiv, stafin në tërësi, si dhe ish-bashkëlojtarët e mi, që më kanë ndihmuar dhe mbështetur gjithmonë. I uroj suksese në këtë sezon të ri futbollistik.
Çfarë ju bindi të riktheheshit te Teuta?
Teuta është një ekip i madh dhe që nuk e diskuton pjesëmarrjen në Europë. Përveç kësaj ishte edhe dëshira ime të rikthehesha këtu, pasi e njohë shumë mirë këtë ambient. I njoh të gjithë futbollistët e skuadrës. Ambientimi këtu nuk është i vështirë, pasi djemtë janë të sjellshëm dhe më gjenden pranë brenda dhe jashtë fushës së lojës.
Si e vlerësoni zgjedhjen për të luajtur me Teutën?
Besoj se është më e mira që kam bërë dhe shpresoj të shkoj mirë. Megjithatë, kjo do të shihet kur të zhvillohet kampionati duke parë ecurinë e tij. Ndërkaq, jam i lumtur që do të vesh sërish fanellën e Teutës.
Çfarë ofertash të tjera keni pasur gjatë kësaj periudhe merkatoje të Superiores?
Pas përfundimit të kampionatit të vjetshëm, kam pasur disa oferta, ndër to dhe Teuta. Por më me rëndësi ka qenë interesi i disa ekipeve. Fati donte që unë të vazhdoja me Teutën.
Çfarë synimesh keni, tani që jeni sërish pjesë e “Djemve të Detit”?
Synimet e mia janë të thjeshta. Të fokusohem për të dhënë më të mirën me ekipin e Teutës, që klubi të arrijë synimet e tij. Çdo futbollist synon të shkojë sa më lart, pse jo dhe një aventurë jashtë Shqipërisë.





